Petkoviq: Rode ka dalë jashtë kornizave diplomatike dhe është vënë në funksion të zëdhënësit të Kurtit
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka kritikuar ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rode, për, siç thekson ai, mbështetjen e hapur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe animozitetin e pashfaqur ndaj Listës Serbe.
Petkoviq, lidhur me deklaratën e Rodeut se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, thekson se ambasadori gjerman për të disatën herë doli nga korniza diplomatike dhe neutralitetit të shpallur politik.
"Diplomati gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, për të disatën herë ka dalë nga kornizat diplomatike dhe qoftë edhe nga neutraliteti i shpallur politik, duke marrë rolin e zëdhënësit të Albin Kurtit, të cilit i përsërit floskulat dhe dezinformatat, duke injoruar faktet e qarta. Prandaj, le të shkojmë me radhë. Është e qartë se Kurtit i pengon fitorja bindëse e Listës Serbe dhe mbështetja e popullit serb në zgjedhjet e fundit, dhe se do të preferonte që në parlament të ishte i besuari i tij, Nenad Rashiq, të cilit po përpiqet t’i sigurojë një vend si deputet me të gjitha mënyrat e pandershme. Por ajo që na habit është fakti se edhe përfaqësuesi gjerman nuk e fsheh favoritizmin e tij dhe animozitetin ndaj Listës Serbe, e cila përfaqëson vullnetin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi," theksoi Petkoviq.
Ai pyeti se si është e mundur që Rode nuk ka reaguar dhe nuk ka ngritur zërin kundër manipulimeve të KQZ-së dhe faktit që vetëm votat serbe nuk janë numëruar pothuajse dhjetë ditë pas zgjedhjeve.
Gjithashtu, Petkoviq i vë në dukje Rodeut se nuk ka parë as, siç tha ai, huliganizmin dhe provokimet me flamuj shqiptarë në qendër të Mitrovicës së Veriut.
"Ashtu si zoti Rode nuk e pa këtë, po ashtu nuk deshi të shihte as mbështetjen e drejtpërdrejtë të Albin Kurtit për të ashtuquajturat protesta studentore në Beograd, të cilën ai e shprehu pa asnjë mëdyshje në Zagreb më 13 dhjetor 2024, duke sulmuar njëkohësisht Beogradin zyrtar, ashtu siç po vepron sot Rode. Këtë mbështetje, për të cilën u fol gjerësisht në të gjitha mediat e Prishtinës, përfaqësuesi gjerman ka ‘harruar’ ta përmendë," vëren drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi.
Petkoviq është i bindur se Rode e ka shumë problem faktin që Beogradi ka mbështetur Listën Serbe, të vetmen parti që lufton për interesat e popullit serb në Kosovë.
"Por ajo që zoti Rode e ka parë dhe që e pengon shumë është fakti që Beogradi ka mbështetur Listën Serbe, të vetmen parti që lufton për interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe që përfaqëson lidhjen e pazgjidhshme të popullit tonë në Kosovë me Beogradin. Këtë mbështetje as nuk e kemi fshehur ndonjëherë dhe as nuk do ta fshehim, ashtu siç do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Tani është e qartë se kush ishin favoritët e zotit Rode në zgjedhjet e fundit, por me mbështetjen më të madhe për Listën Serbe, serbët kanë treguar qartë se çfarë mendojnë për të preferuarit e Prishtinës," përfundoi Petkoviq.
0 komentet