Petkoviq me Krois: Presim që raporti i UNMIK-ut të përfshijë incidente të shumta të shkaktuara nga Prishtina
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka takuar përfaqësuesen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shefen e Zyrës së OKB-së në Beograd, Dominika Krois, para seancës së rregullt të nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut. Petkoviq ka theksuar se me lëvizjet e fundit përshkallëzuese, Prishtina vë në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe kërcënon seriozisht paqen në terren.
Gjatë bisedës, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për raportin e UNMIK-ut, i cili duhet të prezantojë situatën në Kosovë në gjashtë muajt e fundit, ku Petkoviq ka shprehur pritjen se raporti i ri do të përfshijë incidente të shumta që Prishtina i ka shkaktuar kohëve të fundit, siç tha ai, me lëvizje të njëanshme dhe të paligjshme, “duke ushtruar terror dhe keqtrajtim të përditshëm të popullatës serbe”.
Petkoviq ka theksuar se me lëvizjet e fundit përshkallëzuese, Prishtina vë në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe kërcënon seriozisht paqen në terren.
Petkoviq theksoi arrestimet e fundit të pelegrinëve serbë nga Serbia qendrore, me qëllim të nxitjes së tensioneve të reja dhe ushtrimit të presionit shtesë mbi popullin serb në Kosovë.
„Janë ndaluar gjithsej 16 serbë, të cilët gjatë fundjavës dëshironin të vizitonin kishat dhe manastiret serbe, në prag të festës së madhe ortodokse – Ungjillëzimi i Hyjlindëses. Është e qartë se po zhvillohet një dhunë fizike dhe juridike, por edhe një shtypje e lirive fetare. Pas kërcënimit të ekzistencës elementare të popullit serb me shuarjen e institucioneve serbe në Kosovë e Metohi – atyre që janë menduar të jenë baza dhe themeli i Bashkësisë së Komunave Serbe – regjimi në Prishtinë ka treguar qartë se nuk ka ndërmend të përmbushë detyrimet e marra me dialogun e Brukselit, e aq më pak të formojë BKS-në, me të cilën tashmë ka 12 vite vonesë. Është e qartë se shtypja dhe represioni ndaj serbëve në Kosovë e Metohi janë të pranishme çdo ditë dhe se mungesa e të drejtave për popullin serb është e dukshme në çdo hap dhe në çdo nivel“, theksoi Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi theksoi se Beogradi mbetet fuqishëm i përkushtuar mbi të gjitha për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, si dhe këmbënguljen në respektimin e rregullave dhe normave ndërkombëtare. Kjo nënkupton, thotë ai, respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes së Brukselit, dokumente që janë në fuqi dhe duhet të respektohen dhe zbatohen.
Petkoviq tërhoqi vëmendjen për faktin se çdo këmbëngulje e Prishtinës në zbatimin e vendimeve të njëanshme dhe të paligjshme vetëm çon në një rritje të mëtejshme të tensioneve dhe një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në terren.
Drejtori i Zyrës theksoi rolin e pazëvendësueshëm të Misionit të OKB-së në Kosovë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe shprehu pritjet se organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në terren do ta përmbushin detyrën e mandatit të tyre dhe se do të krijohen kushte në të cilat sulmet ndaj serbëve nuk do të tolerohen.
Në fund të bisedës, Petkoviq theksoi se për Serbinë është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e Kombeve të Bashkuara për parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare lidhur me statusin e Kosovës, e cila pasqyrohet edhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.





0 komentet