Petkoviq me Sorensen për jetën e serbëve në Kosovë, vazhdimin e dialogut dhe BKS-në

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, u takua sot me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, me të cilin bisedoi për disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e popullit serb në Kosovë dhe për hapat e mëtejshëm drejt vazhdimit të dialogut si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sipas një njoftimi, Petkoviq e informoi bashkëbiseduesin për një sërë veprimesh të njëanshme dhe përshkallëzuese të ndërmarra nga autoritetet në Prishtinë, me qëllim nxitjen e tensioneve dhe minimin e dialogut, përfshirë edhe mbylljen e disa institucioneve serbe në Leposaviq dhe Shtërpcë, të cilat ofronin ndihmë për mbi 11.000 përfitues.
Ai gjithashtu vuri në dukje një varg arrestimesh të pabazuara dhe politikisht të motivuara të serbëve, që sipas tij, regjimi në Prishtinë i udhëhequr nga Albin Kurti i zbaton me qëllim përndjekjen e mëtejshme të popullit serb.
“Para pak kohe u bënë 12 vjet që kur Prishtina nuk ka formuar Bashkësinë e Komunave Serbe, gjë që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, zbatimin e së cilës e ka garantuar edhe Bashkimi Evropian. Shumë probleme që kemi sot në terren dhe me të cilat përballet populli serb nuk do të ekzistonin fare po të ishte formuar BKS, e cila ndër të tjera duhet të jetë kornizë për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve,” theksoi Petkoviq.
Ai theksoi gjithashtu se Beogradi është një palë konstruktive në dialog dhe se përmes bisedimeve ai gjithmonë ka dalë me propozime që duhet të zgjidhin problemet, jo t'i gjenerojnë ato, por se në vend të kësaj Prishtina përdor veprime të njëanshme, shkelje të të gjitha marrëveshjeve, me qëllim krijimin e tensioneve të reja politike në terren dhe shmangien e detyrimeve të saj.
Në takim morën pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, dhe kreu i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuel Zhiofre. Odalloviq theksoi veçanërisht rëndësinë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe vendosmërinë e qartë të Beogradit për ta trajtuar këtë çështje si një çështje të rëndësishme humanitare që nga fillimi, por gjatë rrugës ajo has në pengesa të shumta nga pala e Prishtinës.
0 komentet