Petkoviq në Bruksel me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe ambasadorë për situatën në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi dhe negociatori i Beogradit në dialogun me Prishtinën, Petar Petkoviq, ka mbajtur sot në Bruksel një takim pune me ambasadorët, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme, ku i informoi në detaje për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke iu referuar posaçërisht rrjedhës së dialogut dhe ngjarjeve të fundit tragjike në Banjskë.
Në komunikatën e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, thuhet se gjatë dy orëve e gjysmë prezantimi dhe diskutimi të hapur, Petkoviq u ka përcjellë diplomatëve të pranishëm se Beogradi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, po bën gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe që Serbia në asnjë mënyrë nuk e deshi dhe as nuk mori pjesë në ngjarjet e fundit tragjike në Banjskë.
Ai theksoi se është i nevojshëm një hetim objektiv dhe i paanshëm i ngjarjeve të përmendura, “duke pasur parasysh faktin se Prishtina po përpiqet ta etiketojë Serbinë si fajtore me dezinformata dhe të pavërteta të shumta”.
“Gjatë prezantimit, Beogradi ka mohuar gënjeshtrat e Prishtinës me dokumente, foto, video të shumta dhe ka paraqitur dëshmi që tregojnë qartë se Prishtina është rrënja e të gjitha problemeve”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovë dhe Metohi.
Shtohet se delegacioni i Serbisë me arsye u ka kujtuar bashkëbiseduesve incidentet dhe sulmet e shumta nga Prishtina, objektivi i të cilave janë ekskluzivisht serbët, duke theksuar se fajtori i vetëm i situatës së padurueshme që rezultoi në ngjarjet e 24 shtatorit është Albin Kurti, “i cili me politikën e terrorit dhe dhunës institucionale ndaj popullit serb në veri të Kosovës dhe Metohisë, çuan në ngjarje tragjike”.
Petkoviq ka kujtuar se Beogradi gjatë vitit të kaluar ka paralajmëruar intensivisht mbarë opinionin ndërkombëtar se situata në terren do të përshkallëzohet edhe më shumë, nëse Perëndimi nuk ushtron presion të fortë ndaj Albin Kurtit. Për këtë arsye, Petkoviq përsëriti kërkesën që KFOR-i të marrë plotësisht rolin e mbrojtjes së serbëve në veri të Kosovës dhe të zëvendësojë Policinë e Kosovës, të cilën populli serb e percepton ekskluzivisht si forcë okupuese.
“Rruga e vetme përpara është përmes deeskalimit dhe tërheqjes së menjëhershme të Policisë së Kosovës nga veriu, si dhe përmes vazhdimit të dialogut dhe hapave konkretë drejt formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka bërë të ditur Petkoviq, duke kujtuar se Prishtina për dhjetë vjet refuzoi të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe se në vend të të drejtave kolektive dhe individuale të garantuara me Marrëveshjen e Parë të Brukselit, Prishtina po kryen spastrim etnik ndaj serbëve.
Takimi i punës, sipas njoftimit, është mbajtur në ambientet e Misionit të Republikës së Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe me pjesëmarrjen e drejtorit të Zyrës për Çështje Koordinuese në procesin e negociatave me Institucionet e Përkohshme në Prishtinë, Millan Raviq, dhe të ngarkuarës me punë të Misionit të Republikës së Serbisë në BE, Danijell Apostolloviq.
komentet