Petkoviq: Sërbët të qëndrojnë të qetë, të mos bien pre e provokimeve të Kurtit për zgjedhjet
Drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi Petar Petkoviq, i ka bërë thirrje sot popullit sërb në Kosovë se të dielën kur të zhvillohen zgjedhjet në katër komunat në veri, të qëndrojnë të qetë dhe mos bien pre e provokimeve të "kryebashkiakut pushtues Albin Kurti” transmeton Politika.
Petkoviq ka thënë se gjithçka që do të ndodhë këtë ditë, është turp i madh për mbarë Europën.
"Të gjithë deri atëherë, do të gjendemi ndaj përpjekjeve dhe tentativave të Prishtinës për të pushtuar mbarë veriun e Kosovës. Kryebashkiaku pushtues Albin Kurti, është ai që populli sërb kurrë nuk do t’a pranojë. Ndaj edhe një herë them se gjatë asaj dite, braktisni rrugët dhe lërini njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre e ndërsa ata, le të merren me punët e pista. Veçse nuk e di se ku është interesi i gjithë kësaj. A është normalizim marrëdhëniesh, natyrisht që jo, ky është tregues se nuk ka normalizim të marrëdhënieve dhe se Prishtina nuk e dëshiron” vlerëson Petkoviq për Tanjug.
Sipas tij ky 23 prill do të shkruhet me gërma të zeza në historinë e demokracisë europiane, sepse do të jetë e paharueshme që dikush shfrytëzon procesin zgjedhor për të dëbuar mbarë popullin sërb ku siç thotë Petkoviq, këtë e dëshiron kryesisht Albin Kurti.
"Përmes organizimit të këtyre zgjedhjeve joligjore, Kurti dëshiron të jetë kryebashkiaku okupues faktik në të katër komunat në veri të K&M. Fatkeqësisht këto zgjedhje i mbështesin shumë në perëndim dhe me këtë rast, i japin shtysë Kurtit përmes politikës së tij antisërbe të bëjë gjithçka që populli sërb i K&M të zhduket njëherë e përgjithmonë, që 3-4% e shqiptarëve të cilët jetojnë në veri të K&M, të drejtojnë komunat me 98% me popullsi sërbe, çka është diçka e papranueshme. Këto zgjedhje jo legale të cilat i organizon Kurti, janë shembull i shkeljes së të drejtave themelore e demokratike të njeriut" ka thënë Petkoviq.
Ky i fundit kujtoi se vitin e kaluar kur Kurti ndaloi mbajtjen e referendumit dhe zgjedhjeve sërbe në K&M, bashkësia ndërkombëtare nuk u bë e gjallë për të dënuar një akt të tillë dhe me këtë rast, mbështetën zgjedhjet dhe faktin që Kurti do të bëhet kryetar pushtues, gjë që e ekspozon tërësisht politikën e Prishtinës dhe të Albin Kurtit ndaj popullit sërb.
“Le t’a shohin të gjithë tani se cili është qëllimi i vërtetë i Albin Kurtit, jo për të formuar BKS, por për më tepër në veri ku sërbët janë shumicë dhe ku jetojnë 98% e tyre, e mbi të gjitha, fjalën kryesore në drejtimin e komunës, e kanë shqiptarët. Epo, kjo nuk ka ndodhur kurrë” tha Petkoviq.
Siç u shpreh, fakti që Jabllanoviq u tërhoq nga kandidatura, flet se në veri të Kosovës nuk do të ketë kandidatë sërbë dhe se ata që përfaqësojnë Prishtinën dhe që janë përfaqësues të partive politike shqiptare, do të drejtojnë veriun e Kosovës.
“Ne dëshirojmë të jetojmë në paqe, që procesi i dialogut të jetë më i miri, para së gjithash për jetën e popullit tonë, por nëse egziston një sjellje e tillë prej Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar, kemi dhunim të demokracisë. Është e qartë se nuk keni një bashkëbisedues, se nuk keni një bashkëbisedues të ndershëm në Prishtinë që dëshiron paqe dhe normalizim, që dëshiron një zgjidhje kompromisi për të arritur pajtimin e popullit sërb dhe atij shqiptar. Sigurisht që do të ruajmë paqen, por dhe të qëndrojmë të vendosur si deri më tani me popullin tonë sërb që ka shtetin e vet dhe një president, e ky është Aleksandar Vuçiq” ka thënë Petkoviq. Ky i fundit thekson se zgjedhjet e radhës janë iluzion demokracie pasi do të votohet në kontejnerë dhe stacione policore ku në hyrje të këtyre kontejnerëve, qëndrojnë policët e ROSU me armët tytëgjata.
“Dhe këto tani, nuk e di se çfarë lloj zgjedhjesh mbështet perëndimi. Turp t’u vijë të gjithëve për këtë, e ndërsa populli ynë ku mjaft herë ka mbijetuar dhe duruar, do t’a durojë edhe këtë zullum të ri të Albin Kurtit” tha Petkoviq.
Pyetjes sesi do të duket jeta e sërbëve në veri të Kosovës pas zgjedhjeve, Petkoviq u shpreh se populli sërb është mësuar të kalojë përmes shumë vështirësive dhe këto sfida të reja, tregojnë qëllimet e vërteta të Albin Kurtit, i cili përditë ushtron dhunë politike ndaj popullit sërb në K&M.
"Epo nuk është tamam kështu që sërbët braktisën institucionet e Prishtinës në veri të K&M. Fakti që në veri kemi bazë policore ilegale, policia e ROSU nuk ka se çfarë kërkon në veri të K&M veçse të keqtrajtojë popullin sërb dhe qëllojë ndaj njerëzve të pafajshëm. E patë para disa ditëve ministrin e tyre të ashtuquajtur të punëve të brenshme duke shkuar në urën e Bistricës për të përshëndetur policët e ROSU të cilët në këtë pikë ilegale, ndoshta ai tani duhet t'i dekorojë ata për shkrepjen e armëve ndaj popullit të sërb, e për të mos folur për shumë gjëra të tjera, për arrestimin e njerëzve tanë dhe deportimin e tyre pothuajse çdo ditë, ndalimin e përdorimit të targave me shenja KM, ndalimin e shoferëve të autoambulancave, keqtrajtimin e të sëmurëve, që përmes keqpërdorimeve të ndryshme të gjyqësorit të Prishtinës, Kurti në fakt po tenton të përplaset me popullin sërb në K&M” ka thënë drejtori i Zyrës për K&M.
Siç theksoi, si pasojë e këtyre gjërave për ne dëshirojnë gjënë më të keqe, të dëbojnë sërbët dhe dëshirojnë të mbajnë popullin sërb që të jetojë në geto politike dhe ekonomike, populli dinjitoz sërb braktisi gjithçka, çka u përkrah prej Beogradit, i cili gjithmonë qëndron me popullin e vet.
"Ata të cilët na mbajnë leksione rreth procesit zgjedhor në Sërbinë qëndrore, të cilët dinë të bëjnë 1001 pyetje, sidomos në vitet 2000 kur opozita bojkotoi zgjedhjet, kur gjithçka për nga rregullsia ishte e pastër si loti. Vendosën pyetjet dhe vendosën në pikëpyetje procesin zgjedhor, por për këtë janë shumë të lumtur që mbështesin Kurtin që të bëhet kryebashkiak pushtues dhe mbështesin zgjedhjet të cilat vetëm të tilla nuk janë. Këta nga perëndimi tani e mbështesin këtë proces, ndoshta kështu e dekorojnë Kurtin” ka thënë Petkoviq.
Ky i fundit theksoi se do të shihet të dielën sesi do të duken zgjedhjet.
"Populli ynë është paqësor dhe dinjitoz, dëshiron të jetojë në vatrat e tyre shekullore dhe nuk do t’a lejojnë Prishtinën që përmes këtyre akteve të rrezikojë mbi gjithçka lirinë dhe egzistencën e popullit tonë. Le të bëjnë punën e tyre, ne do të zgjedhim për jetë më të mirë të popullit tonë në K&M dhe zgjedhim edhe stabilitetin edhe paqen" ka theksuar Petkoviq.
Pyetjes se çfarë mund të presë nga Brukseli më 2 maj ku do të mbahet raundi i ri i dialogut i nivelit të lartë, Petkoviq thotë se ajo e Ohrit u dakordësua që në këtë ditë Ekipi Drejtues të shfaqte punën e vet dhe ky ishte draft-statuti për formimin e BKS.
Petkoviq shton se Beogradi insiston në formimin e BKS por jo ashtu siç flet Kurti i cili dëshiron që BKS të reduktohet në një lloj guacke pa përmbajtje dhe e kthen në OJQ, por ashtu siç është dakordësuar, siç thotë ai, i njëjti Bruksel, pra të formohet në përputhje me katër marrëveshjet që kanë të bëjnë me BKS.
“Kështu që ka kompetenca thelbësore, qëllimin dhe strukturën e vet, mënyrën e financimit nga Beogradi dhe gjithçka që duhet të ketë BKS sepse duhet të përfaqësojë një mekanizëm për ruajtjen e popullit sërb në K&M, të drejtat kolektive dhe individuale të cilat fatkeqësisht sot nuk ka për shkak të lëvizjeve të Albin Kurtit, gjë që më së miri shihet në vendimin e tij për të mbajtur zgjedhje në mjedisin sërb në veri të K&M ku do të votojnë shqiptarët” ka thënë Petkoviq.
0 komentet