Petkoviq: Shfuqizimi i Ekipit Drejtues çon në shfuqizimin e BKS-së dhe dialogut

Petar Petković
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka theksuar se vendimi për shpërbërjen e Ekipit Drejtues, i cili e ka hartuar draft Statutin të BKS-së dhe e ka prezantuar dje në Bruksel, është i njëanshëm dhe i paligjshëm, dhe se shfuqizimi i Ekipit çon në përfundimin e BKS-së.

Siç thuhet në deklaratën e Petkoviqit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrat në qeverinë e tij nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

“Mandati i Ekipit Drejtues nuk përfundon me prezantimin e draft Statutit të BKS-së, por Ekipi Drejtues ka një rol të rëndësishëm në procesin e formimit të BKS-së, deri në themelimin e Bashkësisë”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se është e qartë se Kurti me një vendim skandaloz e ndërpreu procesin e formimit të BKS-së vetëm dhjetë orë pasi përfundimisht ishte inicuar zyrtarisht në dialog pas 10 vitesh.

“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë BKS-në dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim më të rëndësishëm në çdo mënyrë”, ka theksuar Petkoviq.

Ai i bëri thirrje BE-së që “të ndalojë menjëherë paligjshmërinë e Kurtit”.

“Me këto lëvizje të sforcuara Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse shfuqizimi i Ekipit Drejtues çon në shfuqizimin e BKS-së, dhe rrjedhimisht në shfuqizimin e procesit të dialogut”, përfundoi Petkoviq.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka njoftuar sot se ka shkarkuar Ekipin Drejtues për hartimin e  draft Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.