Petkoviq: Sveçla dhe Kurti mund ta kërcënojnë Vuçiqin, por jo ta pengojnë atë që të ndihmojë serbët në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla mund të kërcënojnë presidentin serb Aleksandar Vuçiq, por se nuk mund ta pengojnë Vuçiqin që të ndihmojë popullin serb në Kosovë.
“Sa nervoz është Albin Kurti pas shuplakës diplomatike që mori në Bruksel, më së miri tregohet duke i diktuar banditit të tij Xhelal Sveçla që të kërcënojë me arrest presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Kur nuk mund ta mposht apo fiton Vuçiqin në asnjë fushë, ai përpiqet ta trajtojë atë me urrejtje dhe kërcënime, sepse Prishtina dhe Kurti dinë vetëm për urrejtje dhe dhunë”, tha Petkoviq në përgjigje të kërcënimeve të Sveçlas se presidenti i Serbisë do të arrestohej nëse shkon në Kosovë pa lejen e Prishtinës.
Petkoviq në një komunikatë për media ka thënë se nuk ka dyshim se obsesioni dhe kundërshtari më i madh i Kurtit dhe Sveçlas është familja Vuçiq, për shkak të luftës së pamëshirshme për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë.
“Epo, fillimisht e keqtrajtuan djalin e tij Danillon duke festuar Vidovdanin në Graçanicë dhe u përpoqën ta arrestojnë tre herë, e tani kërcënojnë se do ta arrestojnë edhe Aleksandër Vuçiqin. Kërcënimet e tilla për popullin serb vijnë pas mesazheve të dhunshme të Kurtit se populli serb dhe Lista Serbe në Kosovë e Metohi do të vuajnë, kështu që nuk është për t'u habitur që tash e kanë në shënjestër edhe Vuçiqin, sepse ai ndan fatin e popullit të tij. Është vetëm vazhdimësi e politikës së dhunshme, kërcënuese, antiserbe, urrejtëse të Prishtinës ndaj çdo gjëje serbe, por më kot”, tha Petkoviq.
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi vlerësoi se Sveçla dhe Kurti mund ta kërcënojnë Vuçiqin, por se kurrë nuk mund ta pengojnë atë që të ndihmojë popullin serb në Kosovë.
“As kërcënimet dhe provokimet e tyre nuk do ta trembin kurrë atë, do të luftojë edhe më fort për interesat e popullit të tyre”, theksoi Petkoviq.
Petkoviq tha gjithashtu se është e sigurt se mesazhet e tilla nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve apo zgjidhjen e krizës, por, siç shtoi ai, janë vazhdimësi e provokimeve, deklaratave nxitëse dhe përshkallëzimit që Prishtina shkakton dhe thërret çdo ditë.
“Nuk është rastësi që ky kërcënim është shqiptuar në ditën kur presidenti Vuçiq do të mbajë një fjalim historik në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe do të tregojë problemet e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, dhe asnjë kërcënim nga Prishtina nuk mund ta vendosë këtë në prapavijë.Prandaj është më mirë që Sveçla dhe Kurti ta dëgjojnë me kujdes atë fjalim dhe të mbajnë shënime, në vend që të merren me kërcënime të pakuptimta”, tha Petkoviq.
komentet