Prenkaj: Perparim Rama do ta stabilizonte situatën në LDK

Aljbert Prenkaj
Burim: Fejsbuk

Diplomati Albert Prenkaj ka theksuar se në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ekziston një garë për postin e kryetarit të partisë, duke vlerësuar se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, do të stabilizonte situatën brenda kësaj force politike, por edhe në spektrin më të gjerë politik.

Prenkaj deklaroi për Kosovo Online se spektri politik në Kosovë është kryesisht i orientuar djathtas dhe konservator, ndërsa herë pas here janë shfaqur parti të qendrës së majtë, të cilat nuk kanë pasur jetëgjatësi.

Njëkohësisht, shtoi ai, kanë ekzistuar edhe prirje për organizime politike me orientim teist, të cilat kanë qenë të përfaqësuara në një përqindje të vogël në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë, karakterizohet si një parti e qendrës së djathtë, anëtare e Partisë Popullore Evropiane (EPP), organizata më e vjetër transnacionale politike e qendrës së djathtë, e themeluar në vitin 1976.

Prenkaj tha se pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, partia ka kaluar nëpër kriza të udhëheqjes dhe se një situatë e tillë vazhdon edhe sot.

"Dihet se gjatë viteve ’90 LDK udhëhoqi rezistencën paqësore kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke organizuar sistemin e njohur të institucioneve paralele në Kosovë. Pas luftës së vitit 1999 dhe vdekjes së presidentit historik dhe liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, partia kaloi nëpër kriza të udhëheqjes. Sot LDK përballet me nevojën për një lidership të ri. Rezultatet në tre zgjedhjet e fundit tregojnë se performanca e saj ka qenë e pamjaftueshme.

Me kalimin e partisë Guxo nga satelite e Vetëvendosjes, si dhe me rikthimin në LDK të ish-presidentes Vjosa Osmani dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, u krijua përshtypja se ajo do t’i rikthente LDK-së numrin e madh të votave që kishte sjellë te Vetëvendosje. Ky rikthim ndodhi kryesisht me insistimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, ky investim politik nuk dha rezultatet e pritura, që do të thotë se ish-presidentja e Kosovës, bashkëpunëtore e afërt e Albin Kurtit, nuk rezultoi një lidere që mund t’i bënte ballë Kurtit", tha Prenkaj.

Ai shtoi se është e qartë se brenda LDK-së ekziston një garë për udhëheqjen e re, edhe pse Abdixhiku i reziston kësaj, duke besuar se ende ka forcën dhe mbështetjen për të drejtuar partinë.

"Në thelb, Abdixhiku është shprehur publikisht se karta e tij është Vjosa Osmani si opsion për kandidate për presidente të shtetit dhe një marrëveshje e mundshme për koalicion qeverisës me Albin Kurtin. Duket se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë së LDK-së nuk pajtohet me këtë drejtim politik. Brenda partisë kundërshtohet publikisht si mundësia e një koalicioni me Vetëvendosjen, ashtu edhe kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente të republikës. Ndërkohë janë mbledhur nënshkrime që sfidojnë pozitën e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku", shtoi ai.

Si një nga opsionet për kryetar të ri të partisë, Prenkaj përmendi kryetarin e Prishtinës dhe anëtarin e LDK-së, Përparim Rama, i cili, sipas tij, komunikon më drejtpërdrejt me qytetarët, gjë që ka sjellë rezultate konkrete në komunën që drejton.

"Flitet për një kandidat të mundshëm për kryetar të ri të LDK-së, një lider që do të mund ta sfidonte qeverisjen e Albin Kurtit dhe politikën e deritanishme të Vetëvendosjes. Një nga politikanët për të cilët flitet është Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, një homo novus që ka sjellë një frymë të re nga Londra dhe që mund ta çojë partinë në një nivel më të lartë. Krahasuar me paraqitjet e liderëve të mëparshëm opozitarë, Rama duket më i drejtpërdrejtë në komunikim, gjë që ka prodhuar rezultate konkrete në kryeqytet", tha Prenkaj.

Në fund, ai theksoi se Përparim Rama, ose edhe një alternativë tjetër, do ta stabilizonte LDK-në dhe, rrjedhimisht, edhe dinamikën institucionale e politike në Kosovë.

"Mendoj se opsioni i Përparim Ramës, por edhe ndonjë alternativë tjetër, do ta stabilizonte LDK-në, e bashkë me të edhe spektrin politik, si dhe dinamikën institucionale dhe shtetërore në Kosovë", përfundoi Prenkaj.