Kriza në LDK: A mund ta ruajë Abdixhiku pozitën e liderit apo ka ardhur koha për një fytyrë të re?
Dështimet e njëpasnjëshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në disa cikle zgjedhore kanë çuar në një krizë brenda partisë dhe në kërkesa për dorëheqjen e liderit të saj, Lumir Abdixhiku, të cilat janë bërë nga disa prej anëtarëve më të spikatur të partisë. Ndërsa LDK po kalon një krizë serioze të brendshme, po kërkohen përgjegjësit për rezultatet e dobëta zgjedhore, veçanërisht për shkak të pritjeve të papërmbushura se rikthimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të kontribuonte në rimëkëmbjen e partisë. Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë për Kosovo online se Abdixhiku nuk ka një vizion të qartë politik dhe as një strategji të mirëfilltë të veprimit opozitar, si dhe nuk është lideri që mund ta rikthejë LDK-në në rrugën e suksesit, prandaj konsiderojnë se reformat brenda partisë janë të domosdoshme.
Shkruan: Millena Maksimoviq
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë treguan se Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 18 mandate deputetësh, me 135.567 vota, ose 16,69 për qind. Kjo konfirmoi se strategjia dhe oferta politike e LDK-së nuk ishin të mjaftueshme për ta rikthyer besimin e votuesve të humbur gjatë cikleve të mëparshme zgjedhore.
Nga rikthimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në partinë që e kishte lënë pesë vjet më parë pritej të sillte energji të re dhe të kontribuonte në forcimin e saj. Megjithatë, kandidatura e saj për presidente nuk u mirëprit nga të gjithë brenda partisë as para zgjedhjeve, ndërsa pas procesit zgjedhor dhe mungesës së rezultatit të pritur, po shtohen vlerësimet se rikthimi i saj, në vend që të sillte më shumë unitet, i thelloi ndarjet e brendshme.
Ndërsa pakënaqësia brenda partisë po del gjithnjë e më shumë në sipërfaqe, dorëheqja e Abdixhikut për momentin nuk duket në horizont. Ai, në fakt, e kishte ofruar dorëheqjen pas disfatës së dhjetorit, kur partia, nga më shumë se 170.000 vota të fituara në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, ra në rreth 126.000 vota, por ai i mbijetoi votimit në kuvendin e partisë në janar.
Në të njëjtën kohë, disa analistë vlerësojnë se është paradoksale që anëtarësia e LDK-së nuk i jep mbështetje më të madhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili, sipas tyre, është profilizuar si një politikan i aftë t’i bëjë ballë kryeministrit në detyrë teknike, Albin Kurti.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se përçarja në LDK, në këtë moment, i shkon për shtat pikërisht liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pret “hallkën më të dobët” për të arritur një marrëveshje politike, edhe pse deri më tani ai është treguar mjaft indiferent ndaj zhvillimeve në partinë e tretë më të madhe në Kosovë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-ambasadori, Sylë Ukshini, vlerëson se dorëheqja e Lumir Abdixhikut, pas përçarjes që pasoi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) pas zgjedhjeve, do të ishte e dobishme si për vetë partinë, ashtu edhe për opozitën në tërësi. Sipas tij, Abdixhiku nuk ka një vizion të qartë politik dhe as një vizion të qartë për veprimin opozitar.
Ukshini vëren se Abdixhiku është një politikan i ri, por se mënyra e tij e të bërit politikë është e tejkaluar.
“Sillet sikur është kryetar partie që vendos vetë për gjithçka. Në mëngjes thotë se është në opozitë ndaj Kurtit, në mesditë se është në opozitë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, pasdite se është në opozitë ndaj Aleancës, ndërsa në fund të ditës nuk e kuptojmë se çfarë dëshiron në të vërtetë. Ai nuk ka vizion për politikën dhe as vizion për opozitarizmin. Mendoj se largimi i tij do të ishte më i mirë si për opozitën, ashtu edhe për LDK-në”, tha Ukshini për Kosovo online.
Ai thekson se në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka ende individë që e mbështesin Abdixhikun.
“Por veprimi opozitar nuk përbëhet vetëm nga daljet në televizion dhe mbajtja e konferencave për shtyp me mesazhe drejtuar Kurtit që të mos bëjë aleancë me PDK-në. Natyrisht, asnjë kryeministër nuk dëshiron të përballet me një opozitë të bashkuar, sepse ajo përbën një konkurrencë serioze për pushtetin. Lumir Abdixhiku gjatë gjithë kohës del në media duke thënë se është në opozitë, por se nuk është si PDK-ja. Pra, ose do të bashkëpunoni me Vetëvendosjen ose me PDK-në, sepse një parti politike duhet të bëjë politikë dhe jo të qëndrojë anash”, tha Ukshini.
Sipas tij, veprimi politik i Lumir Abdixhikut është anakronik, ndaj nuk është e qartë nëse ai dëshiron bashkëpunim me opozitën apo me pushtetin.
“Bashkëpunimin e vetëm në mandatin e kaluar e pati me Vjosa Osmanin dhe Vetëvendosjen, kur votoi për Osmanin si presidente, duke i bërë në mënyrë indirekte një shërbim Vetëvendosjes. Këtë e bëri duke besuar se në këtë mënyrë do ta forconte pozitën e tij në LDK. Ai dha dorëheqje, por megjithatë mbeti në krye të partisë, gjë që tregon se me çdo kusht dëshiron të jetë kryetar i LDK-së. Por mendoj se koha e tij ka përfunduar”, përfundoi Ukshini.
Politologu Ognjen Gogiq deklaroi se disa cikle zgjedhore kanë treguar se Lumir Abdixhiku nuk është lideri që mund ta rikthejë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në rrugën e suksesit dhe se kësaj partie i nevojiten reforma. Ai vlerëson se ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rikthimin e saj në LDK ka sjellë përçarje shtesë, gjë që është reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor.
Gogiq tha për Kosovo online se zgjedhjet e qershorit treguan se LDK-ja nuk arriti të rimëkëmbet ndjeshëm në krahasim me zgjedhjet e dhjetorit dhe se mund të thuhet se vetëm e ruajti pozitën e saj dhe zbuti rënien e mëtejshme.
“Në përqindje kanë dalë më mirë, por në numrin absolut të votave kanë shënuar sërish rënie. LDK-ja nuk mund të jetë e kënaqur me këto rezultate. U pa se Vjosa Osmani nuk kontribuoi në masën e pritur në rritjen e mbështetjes për partinë. Bëhet fjalë për një varg vendimesh të gabuara të marra nga udhëheqja e partisë, pa një përpjekje serioze për të rishqyrtuar punën e vet dhe për të gjetur mënyrën se si të konsolidojë LDK-në”, tha Gogiq për Kosovo online.
Duke folur për përçarjet brenda partisë, ai rikujtoi se çështja e përgjegjësisë ishte hapur edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit, kur Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen, por ajo nuk ishte pranuar në kuvendin e partisë në janar.
“Tani duket sikur udhëheqja e partisë është plotësisht nën kontrollin e tij dhe e mbron atë nga përgjegjësia politike”, vlerësoi Gogiq.
Njëkohësisht, ai thekson se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut po bëhen gjithnjë e më të zëshme, duke rikujtuar se një kërkesë të tillë e kanë bërë publikisht edhe kryetarët e komunave të Pejës dhe Lipjanit.
“Ata i kanë bërë thirrje hapur Abdixhikut që të japë dorëheqje, por ai e ka refuzuar këtë. Megjithatë, duket se këta dy kryetarë komunash janë zëdhënës të një rryme brenda LDK-së, e cila si lider të ri e sheh Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës. Po formohet një bllok që po përpiqet të sigurojë ndryshime në parti”, tha Gogiq, duke rikujtuar se dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Sipas tij, funksionarët më të spikatur të LDK-së angazhohen për ndryshime, por Abdixhiku dhe njerëzit e afërt me të vazhdojnë të kontrollojnë mekanizmat kryesorë të vendimmarrjes.
“Ekziston një hendek mes vullnetit të udhëheqjes dhe disponimit të bazës së partisë, gjë që e dobëson edhe më tej LDK-në. Nëse nuk do të ketë forcë për ndryshime, LDK-ja nuk do të ketë perspektivë serioze në skenën politike të Kosovës. Bëhet fjalë për një parti që prej një kohe të gjatë është në rënie të vazhdueshme të mbështetjes. Në këtë kontekst, thirrjet që Vjosa Osmani të jetë sërish kandidate për presidente janë të pakuptimta, sepse as rezultatet e saj zgjedhore dhe as disponimi brenda partisë nuk tregojnë se ekziston mbështetje për këtë, e aq më pak nga partitë e tjera politike”, beson Gogiq.
Prandaj, thotë, nuk është rastësi që pikërisht kryetarët e komunave që kanë arritur fitore në zgjedhje po kërkojnë ndryshime në krye të LDK-së.
“Prandaj është paradoksale që anëtarësia e LDK-së, në këtë moment, nuk i jep mbështetje më të madhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili është dëshmuar si një lider karizmatik, i aftë t’i bëjë ballë Kurtit dhe të sjellë një frymë të re në skenën politike”, vlerësoi bashkëbiseduesi ynë.
Sipas tij, ciklet e shpeshta zgjedhore kanë treguar se Abdixhiku nuk është lideri që mund ta rikthejë LDK-në në rrugën e fitoreve.
“Partisë i nevojiten reforma, por ajo po tregon se nuk është në gjendje t’i zbatojë ato. Duket se brenda LDK-së ekziston një lloj oligarkie që e pengon këtë. Një nga rezultatet e mundshme është përçarja, përkatësisht që kryetarët e komunave të cilët kërkojnë ndryshime, nëse nuk arrijnë t’i realizojnë ato brenda partisë, të kërkojnë një alternativë politike jashtë saj”, tha Gogiq.
Duke folur për rolin e Vjosa Osmanit, ai thekson se ajo nuk është përgjegjëse për përçarjen në LDK, por se ka kontribuar në thellimin e ndarjeve.
“Osmani u largua nga LDK-ja pothuajse gjashtë vjet më parë dhe nuk mund të jetë fajtori i vetëm për gjendjen në parti. Është e vërtetë se largimi i saj i dha një goditje serioze politike LDK-së, por shtrohet pyetja pse struktura drejtuese e partisë nuk arriti ta konsolidojë LDK-në gjatë këtyre gjashtë viteve. Për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë udhëhequr partinë”, tha Gogiq.
Ai shton se rikthimi i saj shkaktoi ndarje të reja, në vend që të sillte energji të re.
“Ajo nuk solli sinergji dhe as nuk e ripërtëriu mbështetjen. Shumë veta ia kanë zënë për të madhe ndryshimet e saj politike dhe rikthimin në LDK pasi bashkëpunimi me Kurtin dështoi, duke pritur që kjo parti t’ia zgjaste karrierën politike”, tha ai.
Megjithatë, ai vlerëson se përgjegjësi më të madhe se Osmani mban udhëheqja aktuale e LDK-së.
“Përgjegjësia më e madhe bie mbi Abdixhikun, i cili, megjithëse ishte i vetëdijshëm për ndarjet dhe polemikat që shkakton Osmani, i hapi rrugë rikthimit të saj në parti. Përgjegjësia, para së gjithash, u takon atyre që e kanë drejtuar LDK-në gjatë gjithë kësaj kohe, e jo Osmanit”, përfundoi Gogiq.
0 komentet