Radiq: Spanja nuk do të lejonte precedent, Kosova është larg anëtarësimit në NATO

Aleksandar Radić
Burim: Kosovo Online

Analisti ushtarak Aleksandar Radiq vlerëson se pavarësisht njoftimeve dhe referimeve për mundësinë e një precedenti, nuk ka asnjë shans që Kosova të anëtarësohet në NATO në një të ardhme të afërt, sepse do të ishte paradoksale që Kosova të anëtarësohej në Aleancë para Serbisë, dhe shumë anëtarë, përfshirë Spanjën, nuk do ta lejonin një mundësi të tillë.

Ai është skeptik se NATO do të zbatojë procedura të veçanta në rastin e Kosovës.

"Procedurat janë sigurisht një çështje marrëveshjeje, por deri më tani ishte një tabu për NATO. Konsensusi i të gjitha vendeve është shumë i rëndësishëm, sepse NATO u krijua në disa kohë të vjetra që funksiononte ndryshe. NATO nuk është një organizatë mbikombëtare, por përbëhet nga një grup prej 32 vendesh, përfshirë edhe Suedinë. Të gjitha janë vende sovrane, kanë politikën e tyre të jashtme dhe forcat e tyre të armatosura. Tabuja që ata me të vërtetë nuk do ta kalojnë është konsensusi i të gjitha atyre vendeve. Si mund të presim që Kosova të anëtarësohet në NATO nëse një nga anëtarët më të rëndësishëm është Spanja, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës? Është një pengesë që nuk mund të kalohet”, beson Radiq.


Ai thekson se Kosova shpreh një ambicie të qartë për të qenë pjesë e NATO-s, por se dy pengesa janë vendimtare.

E para është se Aleanca, pa përjashtime të veçanta, nuk pranon vende që kanë probleme territoriale të pazgjidhura, dhe e dyta është se do të ishte paradoksale të pritet që Kosova të hyjë në NATO para Serbisë.

Serbia me vite ka qenë në derën e NATO-s, por në atë derë nuk troket sepse nuk dëshiron anëtarësim. Dhe prandaj formula e përdorur nga fuqitë perëndimore është se neutraliteti ushtarak serb nuk nënkupton pasivitet në komunikimin me NATO. Serbia bashkëpunon dhe ka marrëdhënie të relaksuara me NATO. Incidenti në Banjskë e shqetësoi deri diku atë, por ende është e qartë se qendra e bashkëpunimit të autoriteteve serbe është e drejtuar drejt NATO-s në fushën e mbrojtjes. Ka bashkëpunim politik, ushtarak dhe teknik, industria ushtarake serbe bazohet në teknologjitë e prodhuara nga vendet e NATO-s dhe do të ishte mjaft paradoksale të pritej që Kosova të anëtarësohej në NATO para Serbisë”, është i kjartë Radiq.


I pyetur nëse një “përjashtim i veçantë” për Kosovën mund të jetë një model me të cilin Ukraina mund të hyjë në NATO, Radiq thotë se është joreale sepse, për shkak të rëndësisë së saj, Ukraina është një “temë më vete” në krahasim me temën e Kosovës.

“Sido që të tregojnë emocionet tona, Kosova është ende problem ballkanik, problem i zonës së ish-Jugosllavisë dhe jo problem global. Në një situatë të tillë, nuk besoj se në NATO ka gatishmëri që dikush të luajë me interesat e anëtarëve individualë që Kosovën nuk dëshiron t'a njohin dhe t'a pranojë për arsyet e veta politike”, thotë Radiq.

Ai shton se këto arsye nuk nënkuptojnë automatikisht dhe se bëhet fjalë për vende që kanë qëndrim miqësor ndaj Serbisë.

“Këto nuk janë arsye që automatikisht kuptohet se janë miqësore me palën serbe, por thjesht arsye pragmatike që nuk duan të mbështesin asnjë formë të separatizmit duke mbrojtur interesin e ruajtjes së integritetit të vet”, vlerëson Radiq.

I pyetur se çfarë do të thotë hyrja eventuale e Kosovës në NATO për Serbinë, analisti ushtarak thekson se kjo do të çonte në izolim shtesë dhe radikal.

"Kjo nuk do të ishte vetëm gishti në sy, por edhe një kërcënim i hapur për Serbinë në situatën në të cilën ndodhet tani. Por, mendoj se jemi larg një skenari të tillë për shkak të bashkëpunimit të hapur që autoritetet aktuale kanë me NATO”, përfundon Radiq.