Radojeviq: Ka kohë që Kurti bën listat e arrestimeve
Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Millan Radojeviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej muajsh ka bërë lista të ndryshme për arrestimin dhe ndjekjen penale të serbëve dhe se lista e publikuar nga përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Armend Muja, është vetëm e fundit, raporton N1.
"Nuk po flasim vetëm për veriun e Kosovës, një problem i ngjashëm ekziston edhe në komunën e Shtërpcës, ku mbi 90 persona, të cilët janë punëtorë të asaj komune sipas sistemit serb, kanë kallëzime penale për cenim të rendit kushtetues", tha Radojeviq për TV Prva.
Ai vlerësoi se kjo është një mënyrë që Kurti t'i “lajë hesapet me të gjithë serbët më të dukshëm”, gjegjësisht t'i “presë kokën” lidershipit politik të serbëve në Kosovë dhe të ndalojë rezistencën e serbëve ndaj tij dhe institucioneve që ai drejton.
Duke folur për faktin se anëtarët e familjes së presidentit serb Alleksandar Vuçiq janë në listën e fundit të arrestimeve, Radojeviq tha se "asgjë nuk më befason më" nga Kurti.
"Ai njeri i kalon të gjitha kufijtë e njëfarë korrektësie politike. Qëllimi i tij është të sulmojë të gjithë serbët që mbrojnë Kosovën dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq është sigurisht objektivi i parë i Albin Kurtit, sepse ai është luftëtar më i madh për të drejtat e serbëve në Kosovë", tha Radojeviq.
Radojeviq ishte kryetar i Mitrovicës Veriore deri në fillim të nëntorit, kur u largua nga institucionet e Kosovës së bashku me serbët e tjerë nga veriu i Kosovës.
komentet