Radojeviq: Serbët kanë dy mundësi, të dorëzohen dhe të zhduken, ose të mbrohen në mënyrë demokratike
Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe anëtar i Listës Serbe, Millan Radojeviq, me rastin e arrestimit të një serbi tjetër nga Leposaviqi, tha se vazhdon terrori i Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Albin Kurtit dhe Xhelal Sveçlës të cilët, sipas tij, dënojnë serbët edhe pse ka dëshmi për pafajësinë e tyre.
Radojeviq tha për TV Pink se serbët në veri të Kosovës janë të frikësuar, sepse terrori i Prishtinës vazhdon dita-ditës.
Radojeviq kujton se Kurti, duke i quajtur milicitë fashiste personat që morën pjesë në protesta, të cilët duhet të arrestohen ose të dëbohen, ka paralajmëruar arrestimet.
Ai shton se, për fat të keq, reagimi i komunitetit ndërkombëtar nuk mund të shihet në veprim.
“Kemi video, fotografi që vërtetojnë se këta persona nuk kanë marrë pjesë në incidentet për të cilat akuzohen, por kjo nuk i pengon Kurti dhe Sveçla që menjëherë t'i akuzojnë, dhe t'i gjykojnë duke thënë se janë bandë kriminale, fashiste. Ne kemi pritur një reagim të bashkësisë ndërkombëtar, por nuk e kemi marrë, as nuk kemi ndryshim të situatës në terren, përkundrazi, situata po përkeqësohet dita-ditës”, ka theksuar Radojeviq.
Ai ka theksuar se në komunat e veriut të Kosovës janë të pranishëm policë me rroba civile, të cilët i ndjekin serbët më të dukshëm dhe pastaj natën bashkë me pjesëtarët e ROSU-s i kërkojnë.
“Gjuetia e serbëve në veri të Kosovës ka kohë që është filluar, serbët po mundohen ta mbajnë situatën të qetë, por kjo nuk është e mundur. Qytetarët presin mbrojtje, e shohim që nuk e kemi nga komuniteti ndërkombëtarë, KFOR-i, i cili duhet të marrë kontrollin në veri të Kosovës që njësitë speciale të tërhiqën. Jam i shqetësuar për situatën, kam frikë se nuk është më e keqja, na presin ditë të vështira, situata mund të përshkallëzohet”, tha Radojeviq.
Sipas tij, presioni mbi popullin serb vazhdon.
“Unë mendoj se Kurti nuk do të ndalet me presionin, se do të shkojë në atë kufi derisa të ketë viktima. Në këtë moment ndërkombëtarët nuk duan ta ndalojnë, nuk duan ta ndalojnë këtë dhunë ndaj serbëve, dhe serbët kanë dy alternativa, të pranojnë atë që po na ndodh dhe të zhduken, ose të mbrohemi në mënyrë demokratike. Ne duhet të mbrojmë familjet tona. Po vijmë në një situatë që ata do të hyjnë në shtëpitë tona dhe do të fillojnë të arrestojnë neve”, tha Radojeviq.
Lidhur me ndalimin e importit të mallrave serbe, Radojeviq thotë se nëse situata nuk zgjidhet shpejt do të bëhet alarmante.
“Pyetja është edhe si do të funksionojë Qendra spitalore Mitrovica, e cila furnizohet me barna, materiale dhe oksigjen nga Serbia qendrore. Po hyjmë në një situatë shumë të rrezikshme, fatkeqësisht nuk po i duket fund kësaj krize. Sytë tanë janë të ngulur në Beogradin, shtetin e Serbisë, ne shohim se nuk ka mbrojtje të faktorit ndërkombëtar, ndaj presim mbrojtje dhe shpëtim nga shteti i Serbisë. Shpresojmë që të ketë përparim, i cili do të sjellë ndryshime thelbësore të situatës në terren”, ka përfunduar Radojeviq.
komentet