Radojeviq: Shëndetësia dhe arsimi nuk janë çështje për kryetarët e komunave, por ekskluzivisht për negociatat në Bruksel

Milan Radojević
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, deklaroi se së bashku me udhëheqësit e tjerë të komunave me shumicë serbe ka zhvilluar takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për problemet me të cilat përballen komunat, pasi ato janë gjetur në gjendje katastrofale, duke theksuar se nuk është folur për ndonjë integrim të pretenduar apo për statusin e arsimit dhe shëndetësisë.

“Sapo përfunduam takimin me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kryetarët e të dhjetë komunave me shumicë serbe paraqitën problemet në komunat e tyre me të cilat jemi përballur, dhe që janë vërtet probleme të mëdha, duke filluar nga veriu, ku ka probleme të mëdha kadrovike dhe institucionale si dhe ndryshime të kufijve komunalë. Komunat janë të shkatërruara, të devastuara, i kemi gjetur në gjendje katastrofale. Nga Graçanica, e cila ka problem me nivelin qendror lidhur me mosrespektimin e vendimeve të kuvendit, Shtërpca, si dhe komunat e tjera… Të gjithë kryetarët paraqitën problemet me të cilat përballen. Kërkuam nga ministria që të punojë në interes të të gjitha komunave, të marrë parasysh mendimet e kryetarëve, si dhe të komunave që ne udhëheqim, në mënyrë që të punojmë së bashku në interes të qytetarëve”, tha Radojeviq.

Ai falënderoi përfaqësuesit e BE-së që morën pjesë në takim.

“Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të BE-së, të cilëve u jemi veçanërisht mirënjohës që gjetën kohë dhe e ndoqën me kujdes. Kemi folur ekskluzivisht për problemet në komuna, nuk është përmendur fare ndonjë integrim i pretenduar apo statusi i arsimit dhe shëndetësisë”, shtoi Radojeviq.

Siç theksoi ai, çështjet e shëndetësisë dhe arsimit nuk janë për kryetarët e komunave, por duhet të zgjidhen në Bruksel.

“Ne si kryetarë komunash konsiderojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi ne, por është ekskluzivisht temë për negociatat dhe për negociatorët kryesorë të Beogradit dhe Prishtinës”, përfundoi Milan Radojeviq.