Rakiq: Lëvizjet e fundit të Prishtinës po shkaktojnë revoltë te serbët në Kosovë e Metohi

Goran Rakić
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë tha se populli serb do të mblidhet dhe do të protestojë nëse Millan Bozhoviq, i cili akuzohet për djegien e veturës dhe gjuajtjen ndaj policisë së Kosovës, nuk lirohet.

“Do të doja të kisha ardhur këtu sot për të folur për BKS-në dhe se ajo është formuar dhe se populli serb në Kosovë e Metohi ndihet më i sigurt. Fatkeqësisht, lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë sjellë vetëm indinjatë, revoltë dhe pakënaqësi të madhe të popullit serb”, tha Rakiq.

Rakiq theksoi se pakënaqësinë e ka shkaktuar veçanërisht arrestimi i Millovan Bozhoviqit, të cilin Prishtina e akuzon për djegien e veturës dhe se ka shtënë në drejtim të policisë së Kosovës.

“Ju jeni dëshmitarë se çdo ditë populli serb përballet me kërcënime nga institucionet dhe policia se do t'i konfiskojë jo vetëm targat, por edhe veturat, gjegjësisht pronën private, për të cilën nuk kanë absolutisht të drejtë”, tha Rakiq.

Ka pasur dhjetëra sulme ndaj serbëve dhe pronës serbe, thotë Rakiq, duke shtuar se asnjë nga ato sulme nuk është dënuar.

Ai gjithashtu thekson se akti i pjesëtarit të FSK-së që qëlloi fëmijët serbë ishte i mbikualifikuar dhe se tani ai akuzohet vetëm për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

“Jeta e serbëve në Kosovë në njërën anë zhvlerësohet, ndërsa në anën tjetër u shqiptohen dënimet më të rënda për krimet që nuk i kanë kryer. Nëse represioni vazhdon dhe nëse i arrestuari Millan Bozhoviq nuk lirohet, do të bëjmë thirrje populli për një rezistencë dhe kryengritje të përgjithshme, sepse ne nuk mund ta tolerojmë më Albin Kurtin dhe institucionet e tij, tha Rakiq.

Ai po ashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t'i përgjigjet ndaj veprimeve të Prishtinës dhe të mbrojë popullin serb në Kosovë, në mënyrë që të ruhet paqja që, siç ka thënë ai, dëshpërimisht i nevojitet të gjithëve.