Rapajiq: Pas fitores së Vetëvendosjes në Mitrovicën e Jugut, bashkëpunimi me veriun do të jetë edhe më i vështirë

aleksandar rapajić 20112025
Burim: Kosovo Online

Drejtori programor i OJQ-së Qendra për Zhvillimin e Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, vlerësoi për Kosovo online se Albin Kurti kishte llogaritur në mbështetjen e shqiptarëve në Mitrovicën e Jugut dhe se aty ai shihet nga votuesit si dikush që “e ka bashkuar qytetin”, por se fitorja e Vetëvendosjes do ta vështirësojë edhe më shumë bashkëpunimin me serbët në veri.

Sa shumë i interesuar ishte Vetëvendosja të merrte pushtetin në Mitrovicën e Jugut, sipas Rapajiqit, e tregon edhe raundi i dytë i zgjedhjeve.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve në pjesën jugore ndodhën, për ta thënë butë, disa gjëra mjaft të çuditshme. Është komuna e vetme ku dalja në raundin e dytë ishte më e lartë se në të parin, dhe gjithë ajo rritje e daljes shkoi për Vetëvendosjen. Kjo është pak e çuditshme, duke pasur parasysh se kjo nënkupton një rritje prej më shumë se 10 përqind të votuesve për Vetëvendosjen. Nuk dua të përdor fjalë të ashpra, por mendoj se kjo është mjaft e pazakontë për një proces zgjedhor, pasi shohim se kudo në botë, në raundin e dytë numri i votuesve bie, e jo rritet”, thekson ai.

Duke komentuar zhvillimet paszgjedhore dhe fletëvotimet që u vunë në dyshim për shkak të numrit serik të pasaktë, Rapajiq vlerëson se, duke parë nga jashtë, i gjithë raundi i dytë i zgjedhjeve është mjaft i diskutueshëm.
“Sa i përket fletëvotimeve, është e mundur që bëhet fjalë thjesht për një gabim teknik, siç thonë. Nuk kam argumente, por rezultati është aq i pazakontë sa të nënkuptojë se nuk ka qenë tërësisht vullnet i njerëzve që të dalin më shumë në raundin e dytë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Nga ana tjetër, siç shton, Albin Kurti priste që mbështetja për Vetëvendosjen të rritej në Mitrovicën e Jugut pas aksioneve që kishte ndërmarrë në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe që shqiptarët që jetojnë atje ta shihnin atë si dikë që “hapi Mitrovicën e Veriut dhe bashkoi qytetin”.
“Për këtë arsye, për të ka qenë shumë me rëndësi të fitojë në Mitrovicën e Jugut dhe mendoj se për këtë po ndodhin edhe këto gjëra me zgjedhjet në atë komunë”, konsideron Rapajiq.

Ai vlerëson se fitorja e Vetëvendosjes, përkatësisht zgjedhja e Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, do të ndikojë domosdoshmërisht në serbët që jetojnë në Mitrovicën e Veriut.
“Pas fitores së Listës Serbe, mendoj se bashkëpunimi mes Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut do të jetë shumë më i vështirë, sepse Vetëvendosja është treguar si dikush që nuk dëshiron asnjë kontakt me Listën Serbe, kështu që edhe organizimi vetë i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të gjitha ato gjëra që duhet të koordinohen mes pjesës jugore dhe veriore do të jenë shumë më të komplikuara. Situata që në Mitrovicën e Veriut tashmë është mjaft e ndërlikuar për shkak të punësimeve, për shkak të institucioneve të marra… të gjitha këto do të jenë shumë më të vështira për t’u zgjidhur me Vetëvendosjen në pjesën jugore”, thekson ai.
Ai vlerëson gjithashtu se presionet mbi komunitetin serb në veri do të vazhdojnë, por se ato do të varen shumë më tepër nga qeveria e ardhshme.

"Mendoj se varet më shumë nga ajo që do të ndodhë në zgjedhjet parlamentare, çfarë do të ndodhë në Prishtinë, kush do ta formojë qeverinë. Nëse Vetëvendosja formon përsëri qeverinë, është e pashmangshme që presioni mbi komunitetin serb të vazhdojë dhe se do të vazhdojë me, do të thoja, edhe aktivitete anti-serbe në territorin e Kosovës. Nëse ndonjë grup tjetër formon qeverinë, mund të jetë pak më e lehtë, megjithëse edhe atëherë nuk jam shumë optimist", përfundon Rapajiq.