Samiti Brdo-Brioni në Shkup: Në takimin e liderëve tema kryesore janë integrimi në BE dhe stabilizimi i rajonit

Plenarni Sastanak - Samit Brdo Brioni u Skoplju
Burim: Kosovo Online

Në Shkup ka filluar takimi plenar i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në kuadër të Samitit të Brdo Brioni, të organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, homologu i tij kroat Zoran Milanoviç, si dhe presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar.

Në takim po marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq.

Para fillimit të takimit, Pendarovski, Milanoviq dhe Pirc-Musar kanë përgatitur një pritje solemne për liderët e rajonit.

Fokusi i takimit është integrimi evropian dhe stabilizimi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Sipas agjendës së takimit, pas mbledhjes plenare, Pendarovski, Milanoviq dhe Pirc Musar do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi Samitin në Shkup ndër takimet më të rëndësishme në të cilat do të marrë pjesë në periudhën e ardhshme, me qëllim që, siç tha ai, ta prezantojë Serbinë në mënyrë dinjitoze dhe të përshtatshme, me lutje dhe kërkesë që bashkësia ndërkombëtare ta shikojë situatën në Kosovë me argumente.

Liderët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brijoni takohen të paktën një herë në vit dhe Samiti përfaqëson një forum për një nga çështjet thelbësore për rajonin - integrimin evropian, duke inkurajuar gjithashtu dialogun politik në nivelin më të lartë, duke forcuar besimin ndërmjet vendeve, duke intensifikuar dialogun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, forcon bashkëpunimin rajonal në fusha të ndryshme, në radhë të parë në zhvillimin ekonomik.

Në Samitin e vitit të kaluar në Bled, u miratua një përfundim i përbashkët, me mesazhin kryesor riafirmimin e mbështetjes për përshpejtimin e rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në vitet e kaluara tubimit të liderëve rajonalë iu bashkuan edhe të ftuar specialë, duke përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, ish-presidentin e Austrisë Heinz Fischer, presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, presidentin aktual të SHBA-së, atëher në pozicionin e zv.presidentit, Joseph Biden, por edhe këtë si vitin e kaluar, samiti po mbahet pa zyrtarë të huaj dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Procesi Brdo-Brioni u iniciua nga Sllovenia dhe Kroacia, kur kryeministrat e dy vendeve, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të marrëveshjes së arbitrazhit, donin t'u jepnin shembull liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një nxitje për zgjidhjen e çështjeve bilaterale dhe për të rritur ritmin në rrugën evropiane.