Sekulliq: Nuk ka asnjë tregues se Prishtina do të heqë embargon ndaj mallrave serbe

Saša Sekulić
Burim: Kosovo Online

Edhe gjashtë muaj që kur qeveria në Prishtinë e ndaloi hyrjen në Kosovë të mallrave të prodhuara në Serbi, nuk ka të dhëna se kur dhe nëse do të hiqet fare ky vendim, thotë kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve nga Graçanica, Sasha Sekulliq. Ai thekson se për shkak të këtij vendimi të keq politik, mallrat nga Serbia qendrore janë zëvendësuar me produkte të cilësisë më të ulët dhe me produkte 20 deri në 30 për qind më të shtrenjta që vijnë në Kosovë nga tregjet tjera.

Biznesmenët serbë dhe kosovarë u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që të heqin embargon e vendosur më 15 qershor dhe këto mesazhe po i dërgon edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Sekulliq kujton se para dy muajsh, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka dërguar një apel qeverisë në Prishtinë që të shqyrtojë dhe anulojë vendimin për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe.

“Qeveria e Kosovës duhet pyetur pse po i injoron këto ankesa, është një vendim politik që nuk i sjell dobi as biznesmenëve shqiptarë dhe as serbë. Shumë kompani amerikane që operojnë në Serbi po kërkojnë që ky vendim të rishqyrtohet dhe të revokohet. Ne biznesmenët presim dhe shpresojmë që kjo të ndodhë, që qeveria në Prishtinë ta kuptojë më në fund apelin që po bëjnë të gjithë biznesmenët”, tha ai për Kosovo online.

Sekulliq thotë se në fillim të shekullit të 21-të nuk duhet të marrësh vendime për ndalimin e importit të mallrave, duke pretenduar disa vlera evropiane.

“Këto dy vendime nuk shkojnë bashkë. Në të kundërt, nëse embargoja mbetet në fuqi, mallrat në Kosovë do të jenë edhe më të shtrenjta, sepse transporti luan një rol të rëndësishëm në formimin e çmimeve. Është shumë më lirë kur transporton mallra nga Serbia sesa nga Turqia, Polonia”, thekson ai.