Selenica: Turqia mund të luajë rolin e ndërmjetësit që Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog
Kryeredaktori i Radiotelevizionit të Shqipërisë dhe analisti politik Gert Selenica shprehu besimin se Turqia, duke qenë se ka ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor, do të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që palët të kthehen në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Me rastin e vizitës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri dhe Serbi, Selenica tha se në agjendën e takimeve ishte edhe Kosova.
“Turqia ishte ndër vendet e para që e pranoi pavarësinë e Kosovës. Serbia, natyrisht, nuk mund ta pranojë këtë, por nuk duhet të harrojmë se Kosova, Shqipëria dhe Serbia janë vende që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe duan apo nuk duan ata do të duhet të pranojnë disa compromise. Turqia, si një vend i fuqishëm me ndikim të madh në rajon, besoj se do të luajë sërish rolin e ndërmjetësit në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe zgjidhja e pranueshme tani për tani është kthimi i palëve në dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, që të mos pengohen shtetet në rrugën e tyre paralele drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Selenica për Kosovo online.
Duke folur për marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tiranës, ai deklaroi se ndikimi ekonomik turk në Shqipëri po rritet.
Ai gjithashtu thekson se bashkëpunimi serbo-turk është ngritur në një nivel më të lartë dhe se është rritur importi i mallrave nga Serbia, por edhe se Ankaraja kultivon marrëdhënie të ngushta me Prishtinën.
“Ka statistika zyrtare për këtë. Kryeministri Rama, nëse i kthejmë sytë pas fjalëve të tij në takimin me Erdoganin, deklaroi se Shqipëria synon të arrijë një shkëmbim tregtar deri në dy miliardë euro. Mund të theksojmë se ndikimi i Turqisë në Shqipëria do të vazhdojë të rritet. Nuk është një çështje e vogël që Turqia e konsideron vendin tonë një partner strategjik. Kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë derën e hapur në Turqi, qoftë për marrëveshje tregtare, qoftë për marrëveshje në sektorë të tjerë. Besoj se e njëjta situatë është edhe në marrëdhëniet e Beogradit me Turqinë. Dihet se Turqia është një vend që ka marrëdhënie shumë të ngushta tregtare me Serbinë, por ka marrëdhënie shumë të ngushta edhe me Kosovën, edhe pse është një vend i ri”, tha Selenica.
0 komentet