Shahini: Diaspora e mban ekonominë e Kosovës, por Kurti nuk e ka mbështetjen e tyre
Diaspora kosovare është më shumë se çdo tjetër në Evropë e lidhur me shtetin e saj amë, por kjo nuk do të thotë se Albin Kurti ka mbështetjen e tyre, vlerëson për Kosovo online presidenti i Aleancës së Biznesit, Agim Shahini.
“Nëse kthehemi pas në kohë, do të shohim se diaspora jonë gjithmonë ka përkrahur politikanët apo politikën e Kosovës, dhe gjatë luftës në Kosovë, dhe pas luftës edhe ekonominë. Ne vazhdojmë të marrim më shumë se një miliard e 400 milionë euro në vit nga diaspora, përmes llogarive, përmes bankave komerciale, e marrim edhe më shumë se një miliard euro cash nga xhepat e diasporës që vijnë dy herë në vit për pushime verore dhe dimërore”, sqaron Shahini.
Ai shton se ato dy miliardë e gjysmë e mbajnë ekonominë e Kosovës, sepse Kosova me ato para importon 87 për qind të mallrave të konsumit, por kjo nuk do të thotë se Kurti si kryeministër ka mbështetjen e diasporës.
“Kurti nuk e ka më mbështetjen që ka pasur në 2019 dhe 2020, sepse diaspora jonë nuk po shikon vetëm fjalët e bukura, por edhe atë që është bërë realisht në këto katër vite. Asnjë rrugë e re nuk ka filluar, nuk ka investime strategjike, madje kemi më pak investime, gjithnjë e më pak ka interes nga investitorët për të ardhur në Kosovë, dhe për herë të parë do të kujtojmë qeverinë dhe kryeministrin Kurti, si të vetmin person që ka importuar sanksione nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Prandaj diaspora ka uri ndryshe dhe nuk është më si dikur, për t'u ngjitur me kryeministrin”, thotë presidenti i Aleancës së Biznesit.
Ai nënvizon se lëshimet që Kurti i bën diasporës janë “vetëm propagandë” dhe se ata e kanë kuptuar këtë.
“Herën e kaluar vetëm Kurti kishte rreth 50 për qind të votave të diasporës. Ai nuk e ka më atë mbështetje dhe nuk do ta ketë kurrë. Ai e di këtë dhe prandaj po përpiqet të bëjë diçka vizuale për diasporën, megjithatë ata e shohin si propagandë, jo diçka interesante për ta”, përfundon ai.
komentet