Gogiq: Rezultatet e regjistrimit tregojnë për rënie demografike dhe manipulim të numrit të diasporës së Kosovës
Politologu Ognjen Gogiq vlerësoi se rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë përshtaten me trendin rajonal të rënies së popullsisë, por edhe se është një përpjekje e autoriteteve në Prishtinë për ta mbuluar atë përmes një paraqitjeje joreale të numrit të qytetarëve në diaspora.
“Mendoj se manipulimi ka ndodhur në kuptimin që disa persona që figurojnë si banorë të përhershëm në fakt janë diasporë dhe jo në territorin e Kosovës. Mendoj se do të ketë një lloj manipulimi. Nuk do të kemi një pasqyrë të vërtetë se sa njerëz janë larguar nga Kosova. Pra, ka rënie të natalitetit, por ka edhe shkallë të lartë të emigrimit, gjë që rezultatet e këtij regjistrimi nuk do ta pasqyrojnë siç duhet”, tha Gogiq për Kosovo online.
Sipas tij, Kosova, sikurse të gjitha vendet e rajonit, po përballet me rënie demografike të popullsisë, e njëkohësisht me rritje të largimit jashtë vendit, për këtë arsye regjistruesit kanë qenë “fleksibël”.
“Në fakt, sipas informacioneve që kam nga terreni, duket se aty kanë qenë pak më fleksibël dhe se ka mundësi që një numër i banorëve që figurojnë si banorë të përhershëm që jetojnë në territorin e Kosovës, në fakt të shpenzojnë më së shumti të kohës së tyre jashtë vendit. Banorët u lejuan të regjistrojnë anëtarët e familjeve të tyre që janë duke punuar përkohësisht jashtë vendit, kështu që ka gjasa që rënia demografike në Kosovë të jetë më e madhe se sa tregon ky regjistrim dhe se në fakt më shumë njerëz kanë emigruar sesa do të përcaktohet në bazë të regjistrimit”, thotë Gogiq.
Ai shton se trendi i emigrimit vërehet edhe te komunitetet tjera pakicë në Kosovë, në radhë të parë boshnjakët dhe goranët, dhe se trendi i rritjes vërehet vetëm te popullata rome.
Duke komentuar pretendimet e disa analistëve se rezultatet paraprake të regjistrimit janë alarmante dhe kërkojnë një “situatë emergjente”, Gogiq thotë se këto janë deklarata të politizuara sepse i gjithë rajoni është përballur me këtë fenomen që nuk mund të zgjidhet “brenda natës”, por kërkon një kohë të gjatë planifikimi dhe strategjia afatgjate.
“Kushdo që u përpoq ta zgjidhte krizën demografike brenda natës e pa që nuk funksionon kështu. Por po, me të vërtetë, Kosova, por edhe i gjithë rajoni, duhet të pyesë veten se kush do të jetojë atje në përgjithësi dhe mbi të gjitha pse ka këtë trend të emigrimit, për arsye ekonomike. Kjo është diçka që kërkon mendim serioz në politikë”, përfundon Gogiq.
komentet