Sllagjana Pantoviq ka ardhur në vendvotimin në Zveçan e shoqëruar nga policia
Kandidatja e pavarur për kryetaren të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, ka votuar mëngjesin e sotëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, e cila në vendvotim ka dalë e shoqëruar nga policia.
Pasi iu drejtua mediave, ajo u largua nga qendra e votimit me një makinë civile, gjithashtu e shoqëruar nga policia.
“Pres që të jetë më mirë se më parë. Pres që zgjedhjet të kalojnë pa incidente, sepse besoj se zgjedhjet duhet të bëhen në paqe dhe dashuri për popullin e jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe. Mendoj që do të shfaqet vetëdija dhe se njerëzit do të votojnë, i falënderoj ata që votojnë, ata që nuk votojnë çfarë mund të them në këtë situatë specifike, nuk kam koment. Nuk mund të them përafërsisht sa votues pres, por unë shpresoj se do të ketë shumë”, u tha gazetarëve pas votimit kandidatja për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, transmeton RTK.
Pas tërheqjes së kandidaturës së Aleksandar Jabllanoviqit nga Partia e Serbëve të Kosovës për pozitën e kryetarit të Leposaviqit, Pantoviq është kandidati i vetëm serb për kryetar komune në katër komuna në veri të Kosovës.
Serbët në veri të Kosovës po i bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që t'i bojkotojnë zgjedhjet, të cilat, siç thuhet në njoftim, po organizohen nga Albin Kurti më 23 prill në komunën e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
komentet