Spahiu: Integrimi i shëndetësisë dhe arsimit është përgatitje për krijimin e BKS-së
Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se integrimi i shëndetësisë dhe arsimit është paraparë me statutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, me një nivel të caktuar autonomie për shëndetësinë dhe arsimin, dhe se nuk beson që Qeveria e Kosovës do të bëjë diçka që shkon përtej asaj autonomie.
„Këtë proces e shoh si përgatitje për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, sidomos nëse bëhet në pajtim me Bashkimin Evropian, sepse ata e kanë parasysh se çfarë është paraparë me statutin e BKS-së“, thekson Spahiu.
Sipas tij, shpallja e Bashkësisë së Komunave Serbe nga Qeveria e Kosovës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë kur të hapen përfaqësitë e përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.
„Ngritja e flamurit të Bashkësisë së Komunave Serbe në komunat me shumicë serbe dhe ngritja e flamurit të Kosovës në Beograd, në përfaqësinë diplomatike të Kosovës, duhet të jetë një akt që kurorëzon marrëveshjen e arritur në Bruksel mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Prandaj këtë e shoh vetëm si përgatitje për këtë proces“, thotë Spahiu.
Ai thekson gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë komoditetin të përballet me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me mënyrën e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit dhe se nuk është në interesin e saj të vijë deri te një konflikt për këtë çështje.
„Nëse i shohim veprimet e Albin Kurtit gjatë pesë viteve të fundit, është dukur se ai ka shkuar me kokëfortësi në disa veprime, por në fund shohim se kjo, në thelb, ka qenë e dakorduar dhe e llogaritur me bashkësinë ndërkombëtare. E njëjta gjë ka ndodhur edhe rreth, për shembull, premtimit për hapjen e urës, kur bashkësia ndërkombëtare ishte rreptësisht kundër që ai ta bënte këtë, dhe ai nuk e bëri. Prandaj nuk besoj se në këtë rast do të shkojë përtej kornizave të përcaktuara“, vlerëson analisti.
0 komentet