Spahiu: Prishtina dhe Beogradi do të jenë nën presionin e administratës së re amerikane

Nedžmedin Spahiu
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se pas inaugurimit të presidentit të sapozgjedhur të Amerikës, Donald Trump, në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës, do të bëhet presion nga të dyja palët për arritjen e marrëveshjes.

“Mendoj se presioni do të jetë nga të dyja palët, me faktin se Prishtina tashmë ka dhënë zotimin e saj me shkrim se nëse Beogradi bën pjesën e tij, edhe Prishtina do të bëjë pjesën e saj”, tha Spahiu për Kosovo online.

I pyetur nëse administrata e re amerikane do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Spahiu thotë se kjo mund të pritet sepse Asociacioni është pjesë e marrëveshjes.

“Asociacioni e komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes. Marrëveshja në Bruksel në bazë të planit gjermano-francez është autonomi më e lartë për serbët përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në këmbim të njohjes së heshtur përmes krijimit të përfaqësive të përhershme diplomatike në Prishtinë dhe Beograd”, tha Spahiu.