Spahiu: Qëndrimi i SHBA në seancën e KS të KB neutral, Kurti do të vazhdojë me të tijën
Ajo që e dalloi seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga të tjerat, ishte qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ishte mjaft neutral, vlerëson për Kosovo Onlajn anlisti politik Nexhmedin Spahiu, duke shtuar se kryeministri kosovar Albin Kurti do të vazhdojë me të tijën pavarësisht nëse duhet të ketë ndonjë masë nga SHBA dhe BE.
Seanca e jashtëzakonshme e KS të KB, kujtojmë, u thirr me kërkesë të Sërbisë për shkak të situatës aktuale në Kosovë.
Fjalimet e presidentit sërb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti ishin të pritshme, sipas Spahiut.
“Gjithashtu ishte i pritshëm dhe qëndrimi rus, ajo që ishte e ndryshme nga seancat e tjera të Këshillit të Sigurimit, ishte qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ishte mjaft neutral ndaj palëve dhe çka mendoj se ndodhi për herë të parë në seancë të tillë. Qëndrimi i Britanisë së Madhe ishte më shumë në favor të Kosovës, ndërsa ai i Francës ishte diku mes Britanisë dhe SHBA, kështu që kjo është e vetmja risi nga ajo që ndodhi në seancat e mëparshme, dhe gjëja e dytë është se për herë të parë presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti ishte të hapur në një debat që mund t’a shikonte mbarë bota”, tha Spahiu.
Ky i fundit është i mendimit se Kurti do të vazhdojë në të tijën pavarësisht nëse do të ketë masa nga ana e SHBA dhe BE, ndërsa rruga e vetme sipas tij, është implementimi sa më parë e marrëveshjes së bazuar në planin franko-gjerman.
“Mendoj se ky është qëllimi i kryeministrit Kurti, për të cilin ai tani po operon në atë drejtim, duke shfuqizuar komunat paralele, dinarin si mjet pagese, ndonëse ai vendim është marrë shumë kohë më parë, para 25 vitesh, por është toleruar deri më tani. Synimi i kryeministrit Kurti është që t’a inkurajojë Sërbinë që sa më parë t'i afrohet planit franko-gjerman dhe t’a realizojë, pasi Kosova po humbet kohë të çmuar nga mosimplementimi i këtij plani, kështu që Bashkësia e Komunave me shumicë sërbe e cila tashmë është pranuar nga kryeministri Kurti, pret të vendoset në momentin kur do të vendosen misionet permanente të Sërbisë në Prishtinë dhe Kosovës në Beograd si njohje e heshtur e Kosovës nga ana e Sërbisë”, tha Spahiu.
0 komentet