Stano: BE do të presë derisa të përfundojë hetimi për ngjarjet në veri para çdo vendimi
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha sot se Bashkimi do të presë përfundimin e hetimeve lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, para se të marrë ndonjë vendim apo konkluzion.
“Për ne është e rëndësishme që hetimi të kryhet dhe të përfundojë. Kur në bazë të hetimeve të kemi një pasqyrë të plotë dhe të qartë se çfarë ka ndodhur, kush qëndron prapa dhe kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet apo konkluzionet e nevojshme”, tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel.
I pyetur për të komentuar videon e publikuar nga qeveria në Prishtinë, ai tha se në këtë fazë është e rëndësishme që të sqarohen të gjitha faktet dhe rrethanat e ngjarjes dhe të vihen përgjegjësit para drejtësisë, por ai theksoi se BE nuk do të bëjë konkluzione të parakohshme "në bazë të një videoje, diçka që është publikuar diku".
“Hetimi duhet të kryhet dhe të përfundojë plotësisht në mënyrë që BE të ketë një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës. Atëherë mund të flasim për pasojat”, tha Stano.
Stano vuri në dukje se pavarësisht “kjo ngjarje tragjike”, ka qenë gjithmonë nevoja për të thirrur urgjentisht një takim të nivelit të lartë dhe për të vazhduar dialogun.
“Ka shumë arsye, pavarësisht se çfarë ndodhi të dielën, për të vazhduar dialogun në interes të Kosovës dhe Serbisë dhe popullit të Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Stano theksoi se BE nuk nxjerr asnjëherë konkluzione të parakohshme dhe nuk merr qëndrime politike përpara se të marrë një vlerësim të duhur të situatës dhe një pasqyrë të plotë të asaj që ndodhi.
"Kemi një situatë ku sulmi terrorist ka qenë në veri. Policia e Kosovës është duke e hetuar, misioni EULEX po ndihmon si përgjigje e dytë e sigurisë, bazuar në nevojat dhe kërkesat e policisë së Kosovës", ka shtuar Stano.
Ai përsëriti se BE do të marrë vendime për hapat e mëtejshëm bazuar në rezultatet e hetimit.
Zëdhënësi i BE-së nuk ka dashur të komentojë mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të BE-së, e cila është mbajtur me rastin e ngjarjeve në Kosovë, e as nuk ka deklaruar se shtetet anëtare kanë kërkuar që të merren masa ndaj Serbisë.
Ai tha se nuk është i autorizuar të flasë për mbledhjet e këtij komisioni dhe theksoi se bëhet fjalë për takime pune në kuadër të Këshillit të BE-së dhe theksoi se atë takim e ka përmendur gjatë konferencës së djeshme për media si ilustrim të aktiviteteve të vazhdueshme në nivel të BE-së, të cilat ndërlidhen me këtë situatë.
“Nëse do të merret një vendim nga shtetet anëtare, ai do të bëhet në nivelin e duhur, dhe do të publikohet”, theksoi Stano.
Stano tha se angazhimi i vendeve anëtare vazhdon për të parë se si mund të bëhet përparim dhe si të zgjidhet kjo situatë.
Ai shtoi se sa i përket masave të mundshme, BE e ka bërë të qartë se masat mund të zbatohen edhe për Serbinë.
“Kur shtetet anëtare të vendosin se është koha për të zbatuar, ato do të zbatohen. Është vendim i shteteve anëtare që të thonë se çfarë masash do të ndërmerren dhe për çfarë arsyeje, por ne nuk jemi ende në gjendje të shpallim ndonjë gjë të veçantë në këtë fazë”, tha Stano.
Ai shtoi se kur bëhet fjalë për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, qëndrimi i BE-së është shprehur qartë për herë të fundit në deklaratën e javës së kaluar.
“Nuk kemi asgjë për të shtuar në këtë fazë përtej asaj që BE ka formuluar qartë në lidhje me këto zgjedhje dhe asaj që BE u ka përcjellë partnerëve të saj, siç thuhet në njoftim, por edhe më shpesh dhe me vendosmëri gjatë ndërveprimeve me ta në tryezën e bisedimeve apo në dhomën e bisedimeve. Por jo në media dhe në publik. Ne nuk bëjmë gjëra të tilla kur duam të zgjidhim problemet”, ka bërë të ditur Stano.
0 komentet