Staroviq: Duke folur për Banjskën, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Prishtina do të përpiqet të justifikojë terrorin që po bën prej 20 muajsh
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, ka treguar se Prishtina padyshim do të flasë për ngjarjet në Banjskë më 24 shtator në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, edhe pse është jashtë periudhës së raportimit të UNMIK-ut, dhe në këtë mënyrë do të mundohen të arsyetojnë terrorin që kanë 20 muaj që po bëjnë ndaj serbëve në Kosovë, shkruan Pink.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh, në raportin e fundit gjashtëmujor për punën e UNMIK-ut, për periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator, theksoi se është i shqetësuar për faktin se palët nuk kanë bërë përparim të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe se ende nuk kanë arritur një marrëveshje për rendin e dispozitave të aneksit të saj.
Duke komentuar raportin e UNMIK-ut, Staroviq thekson se ai është një raport i rregullt dhe thotë se do të përdoret për të paraqitur argumente nga të dyja palët apo të gjitha palët e përfshira.
"Nuk ka dyshim se Prishtina do të flasë për Banjskën, edhe pse kjo është përtej fushëveprimit të periudhës raportuese. Ata do të përpiqen të arsyetojnë gjithçka që kanë bërë për 20 muaj. E di që kryeministrja Ana Brnabiq do të tregojë paqëndrueshmërinë të një qasjeje të tillë sepse gjithçka që shohim në terren është persekutimi brutal i popullit serb”, thotë Staroviq.
Ai shprehet se shpreson që Serbia të ketë mundësinë të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme të sigurisë, sipas ngjarjeve në Kosovë.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë dhe Metohi, Millovan Drecun, thotë se të gjithë ata që do të marrin pjesë në debatin e lartpërmendur janë të njohur.
Siç thotë ai, aty nuk do të ketë asgjë të re.
"Seancat në parim nuk ndryshojnë asgjë kur bëhet fjalë për qëndrimin e vendeve ndaj çështjes së Kosovës. Kujtojmë se shumë kërkuan të shfuqizohen seancat dhe raportet, për të fshirë çdo lidhje me Rezolutën 1244", tha Drecun.
Siç thotë ai, në mbledhjen e “pesëshës së madhe” nuk është arritur ndonjë marrëveshje e madhe sepse nuk ka pasur shumë deklarata.
"Deklaratat ishin të shkurtra", sqaron Drecun dhe shton se i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se ka diçka të re, por që ende nuk është arritur marrëveshje.
0 komentet