Steviq: Bashkësia ndërkombëtare faktor kyç për zgjidhjen e çështjes së arsimit dhe shëndetësisë
Arsimi dhe shëndetësia janë dy shtylla të mbijetesës së serbëve në këto hapësira dhe çështja e integrimit të tyre në sistemin e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa u ulur në tryezën e bisedimeve, që përmes dialogut të gjenden zgjidhjet më të mira që para së gjithash do t’i përgjigjen komunitetit serb dhe në asnjë mënyrë tjetër, thotë për Kosovo online Lazar Steviq, gazetar nga Mitrovica e Veriut.
Ai thekson se Albin Kurti ka mbyllur të gjitha strukturat që kanë funksionuar nën Republikën e Serbisë në territorin e Kosovës dhe se kanë mbetur vetëm arsimi dhe shëndetësia, të cilat janë “gjemb në sy” për të dhe hapi i radhës që është i gatshëm ta ndërmarrë.
„Ai ka thirrur një takim në Prishtinë, ku i ka njoftuar ambasadorët se shëndetësia dhe arsimi duhet të hyjnë në sistemin e Republikës së Kosovës. Ajo që është befasuese është se askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar ndaj këtij qëndrimi të tij dhe nuk ka ardhur as dënim, as konfirmim nëse janë pro apo kundër. Kjo është ajo që shqetëson dhe që i intereson serbët këtu në Kosovë: cili do të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare“, thekson Steviq.
Ai rikujton se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për KeM, kanë deklaruar shumë herë se vendime kaq të mëdha mund të merren vetëm përmes dialogut në Bruksel dhe në asnjë mënyrë tjetër.
„Nuk besoj se serbët do të pranojnë kaq lehtë që kjo temë të zgjidhet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Beogradit, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq. Ka shumë probleme këtu dhe nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të heshtë për këtë. Kurti e ka testuar situatën dhe ka thënë se duhet të zbatojë vendimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit. Megjithatë, ai zbaton vetëm ato vendime që i përshtaten atij dhe që janë në dobi të tij, ndërsa nuk zbaton atë që është shumë e rëndësishme për komunitetin serb, e ajo është Bashkësia e Komunave Serbe. Për këtë ai hesht“, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Për këto arsye, sipas vlerësimit të Steviqit, faktori kyç për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të jetë bashkësia ndërkombëtare.
„Nëse ata do të heshtin, ashtu siç kanë heshtur për mbylljen e organeve të përkohshme në mbarë Kosovën, të postës, bankave, kjo do t’i japë atij krahë që të nisë zbatimin e qëllimit për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit, dhe kjo do të jetë vërtet një problem i madh, përveç atyre ekzistuese që i ka sjellë Ligji për të huajt dhe për automjetet. Veprimet e njëanshme që Albin Kurti po i zbaton dhe që me siguri është i gatshëm t’i ndërmarrë edhe kësaj here, nuk do të sjellin asgjë të mirë dhe mund të çojnë në një përshkallëzim të ri në terren“, konsideron Steviq.
0 komentet