Steviq: Kosova në një krizë të thellë politike, të shtyhen vendimet e rëndësishme, veçanërisht ato që dëmtojnë serbët
Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Lazar Steviq, thotë për Kosovo online se situata aktuale politike tregon se Kosova po përballet me një krizë të thellë politike, fundi i së cilës për momentin nuk shihet, dhe paralajmëron për nevojën që në rrethana të tilla të shtyhen vendimet kyçe, para së gjithash ato që mund të ndikojnë negativisht tek serbët, përfshirë edhe zbatimin e ligjeve të reja për të huajt dhe për automjetet.
Ai thotë se në këtë moment nuk është e mundur të vlerësohet se kujt do t’i përshtateshin më shumë zgjedhjet e reja të mundshme në Kosovë, por se opozita mund t’i shfrytëzojë ato për konsolidim pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Sigurisht që zgjedhjet do t’i përshtateshin më së shumti opozitës, që më në fund të konsolidojë radhët e saj, sepse vërtet kanë arritur rezultate të dobëta në zgjedhjet e fundit parlamentare. Rezultate shumë më të ulëta se sa prisnin. Tani është shansi i tyre që të bashkojnë radhët, të përmirësojnë atë që nuk ka funksionuar dhe të ofrojnë një përballje më të fortë me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen e tij”, tha Steviq.
Ai shpjegon se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes amendamenteve kushtetuese është përpjekur ta zgjidhë krizën që u krijua.
“Kjo është edhe një lojë tjetër politike e partive në hapësirën e Kosovës, para së gjithash e Vetëvendosjes, por edhe e të tjerave. Mesazhi që dërgohet është se Kosova ndodhet në një krizë të thellë politike, vërtet në një krizë të thellë politike. Fundi i kësaj krize nuk shihet. Ata u përpoqën ta paraqesin tani, me këtë zgjedhje të përshpejtuar të Kuvendit dhe të Qeverisë së re, sikur gjithçka funksionon siç duhet, sikur janë verifikuar marrëveshje të shumta që bashkësia ndërkombëtare i ka pritur… Megjithatë, tani, në një shembull konkret, kur duhej përsëri të ishin të bashkuar, siç e quajnë ata, dhe të vazhdonte ky kontinuitet i stabilitetit, erdhi problemi i pare, nuk arritën të bien dakord për emrin e presidentit. Albin Kurti nuk deshi të lëshojë pe, donte që të ishte njeriu i tij, në mënyrë që të mund të kishte pushtet absolut, si në parlament ashtu edhe në postin e presidentit”, thekson ai.
Megjithatë, thekson Steviq, partitë opozitare nuk e lejuan këtë, por propozuan emra të tjerë me të cilët Kurti nuk u pajtua, kështu që përsëri erdhi deri te kriza dhe kjo krizë po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.
“Do të shohim tani, sipas afateve ligjore – këto afate po rrjedhin – se kur do të shpallen zgjedhjet. Ajo që bashkësia ndërkombëtare duhet të shohë është se e gjithë kjo situatë në hapësirën e Kosovës nuk është siç duhet, para së gjithash edhe ky raport ndaj serbëve që përmendet kohët e fundit dhe ky ligj i ri që duhet të hyjë në fuqi, se e gjithë kjo duhet të shtyhet, sepse kjo qeveri dhe ajo që po ndodh në hapësirën e Kosovës nuk është stabile dhe nuk mund të merren vendime kaq të rëndësishme, veçanërisht në dëm të serbëve që jetojnë në këto hapësira”, përfundoi Steviq.
0 komentet