Stoltenberg: U bëjmë thirrje të dyja palëve të deeskalojnë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të ulin tensionet në Kosovë dhe të shmangin retorikën dhe masat që mund të çojnë në eskalim.
Stoltenberg, para fillimit të takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në selinë e NATO-s në Bruksel, vuri në dukje se tema kryesore do të jenë sfidat në veri të Kosovës.
“NATO është prezente në Kosovë me misionin e saj KFOR për shumë vite. Misioni ynë bazohet në mandatin e OKB-së dhe në mënyrë të paanshme kujdesemi për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet”, theksoi ai.
Stoltenberg kujtoi se pjesëtarët e KFOR-it u sulmuan në maj, se 39 ushtarë u plagosën, tre prej tyre rëndë.
“Kjo është e papranueshme”, ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ai theksoi se NATO e ka rritur numrin e ushtarëve në misionin e KFOR-it për rreth 500 për shkak të tensioneve dhe vështirësive në rritje që sheh në Kosovë.
"Do të vazhdojmë të zbatojmë mandatin e OKB-së në mënyrë të paanshme. Është e rëndësishme të reduktohen tensionet. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të ulin tensionet dhe të shmangin retorikën dhe masat që mund të çojnë në eskalim. Angazhimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është e vetmja rrugë për përparim”, theksoi Stoltenberg.
Ai nënvizoi se Serbia është një partner shumëvjeçar i NATO-s.
0 komentet