Takimi i Kurtit me Llajçakun dhe Eskobarin përfundoi pa rezultate konkrete
Takimi i të dërguarit special të BE për dialogun dhe përfaqësuesi i SHBA për Ballkanin Perëndimor Mirosllav Llajçak dhe Gabriel Eskobar me kryeministrin kosovar Albin Kurtin pas afro dy orësh, përfundoi pa rezultate konkrete.
Llajçak në deklaratën para gazetarëve ka thënë se ishte bisedë e gjatë, e vështirë dhe e hapur ku Kurtit i është prezantuar propozimi i bashkësisë ndërkombëtare ku misioni i tyre sapo ka nisur dhe shpreson që të mund të ofrojë lajme të mira, por që ende nuk ka një gjë të tillë.
Ai ka raportuar se Kurtit i është paraqitur propozim nga bashkësia ndërkombëtare me tri pika kryesore-de-eskalimin në terren, mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve në veri dhe kthimin drejt dialogut dhe procesin e normalizimit.
I pyetur për zgjedhjet ai është përgjigjur: “Nëse do të kishim arritur marrëveshje, do t‘ua kisha thënë”.
Për sa i përket kryetarëve të komunave në veri, Llajçak tha se ata janë të ligjshëm, por nuk kanë legjitimitet.
“Legalitet nuk do të thotë përfaqësim dhe legjitimitet dhe ky është problemi që kemi në veri, ndaj është në interes të Kosovës, në interes të të gjithëve, që të kemi kryetarë komunash që kanë ligjshmëri, por edhe legjitimitetin e përfaqësimit” tha Llajçak me të cilin është pajtuar edhe Eskobar.
Ky i fundit nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar më shumë se kurrë.
"Nuk kam parë kurrë kaq unitet në komunitetin transatlantik. Të njëjtën kërkesë e kanë bërë edhe SHBA, Bashkimi Europian, NATO dhe pothuajse të gjithë miqtë e Kosovës. Shpresojmë që të dëgjohemi. Dëshirojmë më të mirën për Kosovën. Ne jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Dëshirojmë që të n’a dëgjojnë" tha ai.
Pyetjes nëse Kurti pranoi propozimin e tyre, Eskobar tha se misioni ndodhet ende në nisje dhe sërish nesër e presin bisedime të reja.
I pyetur për krizën në veri, Eskobar ka thënë se realiteti është se bëhet fjalë për çështje mes Sërbisë dhe Kosovës, pra, para së gjithash, politika e brendshme e Kosovës, raporti i qeverisë dhe grupeve minoritare, është më i rëndësishmi.
Llajçak në lidhje me deklaratën e BE, ka thënë se këto janë kërkesat e të 27 anëtarëve dhe se ky dokument ka peshë për këtë.
„Të gjithë presin që të kthehemi dhe të bëjmë një raport”, theksoi ai.
0 komentet