Teni i shkroi Blinkenit: Kurti po kërcënon sërish paqen, çfarë do të ndërmarrin SHBA-të për të mbrojtur të drejtat e serbëve?

Klaudija Teni
Burim: Kosovo Online

Kongresmenja republikane, Klaudia TenI, i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Entoni Blinken, në të cilën i ka kërkuar përgjigje pyetjes se çfarë do të bëjnë SHBA-të për të mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë, pasi që kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, siç theksoi ajo, sërish kërcënon paqen përkundër kritikave të Departamentit të Shtetit.

"Përsëri, veprimet e Kurtit kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht kritikave të ashpra nga Departamenti i Shtetit, veprimet e Kurtit nuk kanë ndryshuar. I kam dërguar një letër Blinkenit duke kërkuar të di se çfarë veprimesh do të ndërmarrë SHBA për të siguruar që të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë të mbrohen dhe Kurti të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Teni në rrjetin social “X”.

Ajo në letër ka thënë se ka ardhur koha të mendohet për të bërë më shumë presion ndaj Kurtit, duke përfshirë marrjen në konsideratë të masave të veçanta ndëshkuese nëse një sjellje e tillë vazhdon.

Teni deklaroi se është thellësisht e shqetësuar për keqtrajtimin e vazhdueshëm të serbëve në Kosovë dhe mungesën e veprimeve nga administrata e Bajdenit.

“Ndërsa vlerësoj deklaratat e fundit të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe ndihmës sekretarit Xhim O’Brajen, këto deklarata nuk duket se ndryshojnë veprimet e Kurtit. Po kërkoj informacione se çfarë do të bëjë, nëse ai bën, Departamenti i Shtetit për të garantuar respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, nëse Kurti vazhdon të shkelë normat ndërkombëtare dhe thelbin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Teni, në një letër drejtuar Blinkenit.

Ajo përkujtoi se ditët e fundit qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime të njëanshme kundër pakicës serbe në Kosovë, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se më 30 gusht, Policia e Kosovës ka kryer një aksion kundër institucioneve në zonat me shumicë serbe, të cilat Serbia i mbështet, pa koordinim ndërkombëtar.

Kjo jo vetëm që injoron dialogun e ndërmjetësuar nga BE, por kërcënon edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, ushtarët e KFOR-it dhe qytetarët e Kosovës, paralajmëroi kongresmenja.

“E vlerësoj gjuhën e ashpër në deklaratën e ambasadës amerikane, duke përfshirë vërejtjen se këto veprime ‘minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar’, por duket se këto deklarata nuk kanë ndikim të madh në veprimet e Kurtit”, ka thënë Teni.

Ajo kujtoi se në shtator të vitit të kaluar ajo vetë i dërgoi një letër Kurtit duke i kërkuar atij që të deeskalojë situatën dhe të punojë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, si përgjigje ndaj krizës që përfshin vendosjen e dhunshme të kryetarëve të komunave në veriu, përkundër mungesës së pjesëmarrjes së popullatës lokale në zgjedhje.

“Besoj se është koha për të konsideruar ushtrimin e më shumë presionit ndaj regjimit të Kurtit, duke përfshirë marrjen në konsideratë të masave specifike ndëshkuese nëse kjo sjellje vazhdon. Përveç kësaj, KFOR-i duhet të intensifikojë përpjekjet e tij për të mbrojtur pakicën serbe në përputhje me mandatin e tij. Në vend që të mbetet një vëzhgues pasiv apo vëzhgues neutral, KFOR-i duhet të marrë një qëndrim më proaktiv duke shtuar patrullat dhe duke parandaluar forcat e armatosura rëndë të Policisë Speciale të Kosovës që të frikësojnë civilët e paarmatosur”, theksoi Teni në letër.