Vanovac: Çfarë do të ndodhë në vendvotime që komuniteti serb nuk duhet ta dijë?

Ivana Vanovac
Burim: Kosovo Online

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos akredituar asnjë media që raporton në gjuhën serbe për ndjekjen e zgjedhjeve lokale të dielën është skandal, deklaroi kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë (DNKiM), Ivana Vanovac, duke pyetur se çfarë do të ndodhë në vendvotime për të cilat komuniteti serb nuk duhet të informohet.

Vanovac tha se mediat që mbetën pa akreditim janë refuzuar pikërisht sepse raportojnë ekskluzivisht në gjuhën serbe.

Ajo sqaroi se akreditimi është procesi përmes të cilit mediat paraqiten për të qenë të pranishme në ditën e zgjedhjeve në vendvotime, e jo një licencë me të cilën dikush vlerëson kredibilitetin e gazetarëve.

“Kjo është një skandal, unë do ta quaja kështu. Nuk më kujtohet të kem parë ndonjëherë që diçka e tillë të ndodhë në një shoqëri demokratike, e sidomos jo në një shoqëri ku ekzistojnë ligje që mbrojnë lirinë e mediave dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në gjuhën amtare,” tha Vanovac.

Ajo theksoi se DNKiM menjëherë pas publikimit të listës në faqen e internetit të KQZ-së, ka informuar për gjithçka kryetaren e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever.

“Do t’u drejtohemi edhe kanaleve zyrtare gjatë mbrëmjes. Gjithashtu, do t’u shkruajmë të gjitha institucioneve që mendojmë se duhet të reagojnë në këtë situatë, dhe që sipas mandatit të tyre janë të obliguara të veprojnë dhe të sigurojnë lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe të drejtën e raportimit në gjuhën amtare për komunitetin serb në Kosovë,” tha Vanovac.

Ajo pret që ky vendim, siç e quan ajo, turpërues i KQZ-së, të ndryshohet.

Nëse kjo nuk ndodh, gazetarët e redaksive që raportojnë në gjuhën serbe kanë të drejtë të pyesin se çfarë planifikon të bëjë KQZ-ja të dielën, më 12 tetor, shtoi ajo.

“Çfarë është ajo që do të ndodhë në vendvotime, për të cilën komuniteti serb nuk duhet të informohet dhe ta dijë? Kjo do të thotë veprimi i tyre, nëse nuk i lejojnë mediat serbe që të dielën të jenë në vendvotime dhe qendra votimi, dhe të ndjekin procesin zgjedhor deri në fund, sepse ne kemi ndjekur fushatën dhe të gjithë procesin zgjedhor deri tani në mënyrë tepër korrekte dhe pa vërejtje serioze,” theksoi kryetarja e DNKiM-it.

Vanovac shtoi se është e sigurt që për një vendim të tillë nuk ka pasur arsye të vlefshme.

“Nëse përjashtojmë aspektin etnik, nuk ekziston ndonjë ndryshim tjetër që kanë treguar mediat që nuk kanë marrë akreditim në këtë proces,” përfundoi Vanovac.