Vuçeviq: Gaboni nuk do të votojë për rezolutën për Srebrenicën, do të vazhdojë të mbështesë Serbinë për çështjen e Kosovës
Kryeministri serb Milosh Vuçeviq tha sot se kolegu i tij Rejmond Ndonga Sima e ka informuar se Gaboni nuk do të votojë për rezolutën për Srebrenicën që do të diskutohet në Kombet e Bashkuara. Gjithashtu, Vuçeviq shprehu mirënjohjen ndaj Gabonit për mbështetjen dhe njohjen e plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë në lidhje me Kosovën.
Vuçeviq dhe Ndonga Sima janë takuar sot në Pallatin e Serbisë, ku janë nënshkruar marrëveshjet për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e sportit dhe mbrojtjes.
"Kryeministri Sima na informoi se vendi i tyre nuk do të votojë për rezolutën e propozuar të OKB-së për të ashtuquajturin gjenocid në Srebrenicë, për të cilën jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Natyrisht, ne e informuam kryeministrin dhe delegacionin nga Gaboni për qëndrimin e Serbisë për këtë rezolutë, duke mos nënvlerësuar dhe zvogëluar krimin e luftës që ndodhi atje dhe duke mos kundërshtuar përgjegjësinë individuale të kujtdo që mund të ketë marrë pjesë në ekzekutimin e atyre akteve kriminale”, tha Vuçeviq.
Vuçeviq shtoi se rezoluta është përgatitur në kundërshtim me procedurat e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe pa konsultime dhe se do të çojë në përshkallëzime shtesë dhe përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike në vetë Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ai theksoi se Gaboni mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe tërësinë e Serbisë.
“Gaboni është një nga vendet që në periudhën paraprake e tërhoqi njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, e cila për ne është e një rëndësie të paçmueshme dhe konfirmim i marrëdhënieve tona të mira dhe të sinqerta, të cilat kanë vazhduar që nga lëvizja e të painkuadruarve, dhe ende kemi potencial të fortë edhe sot e kësaj dite”, tha Vuçeviq.




0 komentet