Vuçiq: Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, ajo është armiku i tij më i madh
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi sot se vendi do të përballet me presione gjithnjë e më të mëdha lidhur me Kosovën. Ai theksoi se Albin Kurti synon të pengojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi nuk mund ta kontrollojë atë dhe e sheh si armikun e tij më të madh.
"Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe, deri në përjashtimin e saj fizik nga zgjedhjet, sepse ajo është një faktor destabilizues, i padëgjueshëm. Shumë parti të tjera, madje edhe nga komuniteti serb, ai përpiqet t'i kontrollojë, por mbi Listën Serbe nuk ka asnjë kontroll, prandaj ajo është armiku i tij më i madh," tha Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.
Për këtë arsye, ai kërkoi nga drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, të merren masa shtesë.
"Çdo gjë që kanë bërë, e kanë bërë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjet e tjera. Për këtë arsye, përpiquni të informoni opinionin ndërkombëtar për këtë çështje," iu drejtua Vuçiq Petkoviqit.
Ai i kërkoi gjithashtu ministrit të Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, që kjo të jetë një detyrë prioritare e ministrisë së tij.
"Duhet të merremi me Kosovën dhe Metohinë shumë më tepër sesa ka qenë rasti në muajt e kaluar," tha Vuçiq.
SHBA do të vendosin sanksione ndaj NIS, ky është një problem i madh për Serbinë
Vuçiq informoi publikun dhe anëtarët e qeverisë se SHBA do të vendosë sanksione të drejtpërdrejta dhe gjithëpërfshirëse kundër NIS, që është një problem i madh për vendin. Ai ka treguar se SHBA-të do të dalin zyrtarisht me atë vendim para datës 15 janar.
“Kam folur me Hose Fernandez dje. SHBA do të vendosë sanksione, në përgjithësi, ndaj kompanisë sonë NIS. Këto nuk do të jenë sanksione ndaj kompanive që kanë pronësi ruse, ose që financohen nga bankat ruse, por sanksione të drejtpërdrejta ndaj NIS. Kjo na vë në pozitë të vështirë, sepse pas një kohe do të kemi probleme me “Rafinerija”, “Petrohemija” dhe kompanitë tjera”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se pyetja është pse po merret një vendim i tillë tani, duke shtuar se ka “arsye të çuditshme”.
“Do të thonë se është e drejtuar kundër rusëve, sepse me të financojnë një pjesë të përpjekjes së luftës... Rusët nuk e kanë bërë këtë, ka prova për këtë, por ka mundësi që i shqetëson që kompania ruse. ka pasur një fitim të lartë të paktën në një vit ... Nuk mund të them nëse kjo është pjesë e një përpjekjeje për të destabilizuar situatën në Serbi, sepse nuk kam prova për të akuzuar askënd, por kjo e vë vendin në pozitë të vështirë”, tha Vuçiq.
Ai i kërkoi kryeministrit Millosh Vuçeviq që të formojë dy ekipe, por nën koordinimin e tij - një që do të merret me negociatat për marrëveshjen e gazit dhe tjetri që do të merret me NIS. Ai shtoi se do të ndihmonte dhe do të përpiqej të bisedonte me presidentin rus Vladimir Putin.
Qasja e re ndaj administratës amerikane - serioze dhe ofensive
Duke theksuar se priten ndryshime të mëdha, veçanërisht në dritën e ndërrimit të pushtetit në SHBA, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i kërkoi ministrit Marko Gjuriq që Ministria e Punëve të Jashtme të angazhohet më shumë në qasjen ndaj administratës së re amerikane.
"Qasja jonë duhet të jetë serioze, e përgjegjshme dhe ofensive, që të mos ia lëmë të tjerëve më lehtë kontaktet me përfaqësuesit më të rëndësishëm të administratës amerikane," theksoi Vuçiq.
Seanca e Qeverisë së Serbisë filloi me një minutë heshtje për viktimat e krimit në Cetinje
Qeveria e Serbisë në seancë do të vendos që të dielën e 5 janarit ta shpallë Ditë zie në Serbi për shkak të tragjedisë në Cetinje ku humbën jetën 12 persona.
Vuçiq tha se është një tragjedi e tmerrshme, sidomos duke pasur parasysh se Mali i Zi është 10 herë më i vogël se Serbia.
“Është shumë e vështirë për njerëzit në Mal të Zi dhe është detyra jonë të themi se jemi me ta në dhimbjen e tyre dhe t'i ndihmojmë nëse mundemi”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se është një mësim tjetër edhe për Serbinë, i cili duhet bërë më shpejt dhe më fuqishëm.
“Ju lus që përmes MPB-së dhe BIA-s të kontrolloni më tej të gjithë personat me interes të sigurisë dhe të ndikoni në konfiskimin e përshpejtuar të armëve pa leje, kontrolle shtesë të armëve legale. Të ulim në minimum rreziqet e incidenteve të tilla”, tha presidenti i Serbisë.
0 komentet