Lista Serbe: Policia e Kosovës ka ndaluar drejtoreshën e Ndërmarrjes Shoqërore Urbanizëm
Lista Serbe ka bërë të ditur se gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës në zyrat e Ndërmarrjes Shoqërore Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut është ndaluar drejtoresha e kësaj institucioni, Marija Simoviq, duke paralajmëruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon me veprimet e tij të paligjshme, eskaluese dhe të dhunshme në veri të Kosovës.
Lista Serbe dënon ashpër këto veprime të Prishtinës.
„Udhëheqësia e Listës Serbe dënon ashpër këtë dhe të gjitha veprimet e mëparshme brutale të regjimit të Albin Kurtit. Gjatë ditës së sotme do të takohemi me të punësuarit e NP Urbanizmi, si dhe me dy drejtoritë në të cilat parapolicët e Kurtit kanë bastisur gjatë ditës së djeshme, për të diskutuar të gjitha format e ndihmës dhe mbështetjes,“ thuhet në njoftimin e partisë.
Lista Serbe thekson se veprimet e Policisë së Kosovës në veri janë në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut.
„Rënia drastike e partisë së Kurtit sipas analizave nga Prishtina, siç e kemi pritur, është shkaku i këtyre veprimeve të dhunshme dhe të paligjshme që janë kundër të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara,“ thekson Lista Serbe.
Ata bëjnë me dije se partia do të vazhdojë të luftojë për interesat e popullit serb në Kosovë, pavarësisht rrethanave.
„Heshtja e përfaqësuesve ndërkombëtarë i jep mbështetje regjimit të Kurtit dhe politikës së tij për spastrim etnik të gjithçkaje serbe në këto hapësira, duke përfshirë edhe fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare. Por ne nuk do të heshtim për terrorin ndaj popullit tonë dhe do të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata me të gjitha mjetet e disponueshme së bashku me shtetin e Serbisë,“ thuhet në deklaratë.
0 komentet