Vuçiq: Letër e rëndësishme e patriarkut, jam i befasuar pozitivisht nga angazhimi i evropianëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se letra që patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i ka dërguar Papa Leos XIV dhe liderëve botërorë lidhur me Ligjin për të huajt, të cilin autoritetet e Kosovës planifikojnë ta zbatojnë në ditët në vijim, është shumë e rëndësishme. Ai shtoi se evropianët janë shumë të angazhuar për këtë çështje, gjë që, sipas tij, e ka befasuar pozitivisht.
“Mendoj se letra e patriarkut është shumë e rëndësishme. Ajo është edhe më e detajuar, vetëm një pjesë është publikuar. Është e rëndësishme që në këtë betejë të madhe janë përfshirë edhe patriarku edhe kisha jonë. Është me rëndësi të madhe kur kisha jonë del në këtë mënyrë, sepse ajo ka autoritet dhe reputacion të madh në botë, ndërsa presidentët Vladimir Putin dhe Donald Trump gjithmonë theksojnë dëshirën për mbrojtjen e vlerave të krishtera. Besoj se do ta lexojnë me kujdes atë letër”, tha Vuçiq për gazetarët në Arangjelovc.
Ai vlerësoi se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që letra i është dërguar Selisë së Shenjtë, sepse, sipas tij, e di se qarqe rreth Vatikanit po përpiqen ta ndryshojnë vendimin e saj.
Vuçiq theksoi gjithashtu se duhet pritur, duke shtuar se bisedimet me evropianët ende po vazhdojnë.
“Duhet ta pranoj se jam i befasuar pozitivisht nga angazhimi i evropianëve”, nënvizoi Vuçiq.
Patriarku serb Porfirije sot u ka dërguar një letër Papa Leos XIV dhe liderëve botërorë, duke i ftuar që të përdorin autoritetin e tyre në mënyrë që autoritetet në Prishtinë të ndalojnë zbatimin e ligjit për të huajt, të cilin ai e cilëson si tejet diskriminues.
Ende nuk kam dëgjuar përgjigje – për çfarë shërben dhe pse është formuar aleanca ushtarake e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq se do të “paralajmërojë partnerët në NATO” lidhur me armatimin e ri të Ushtrisë së Serbisë, Vuçiq tha se edhe ai vetë mund ta bëjë këtë, pasi krenohet me atë që ka ushtria serbe dhe me faktin se Serbia është një vend që vendos vetë se me çfarë do ta pajisë ushtrinë e saj. Ai shtoi se, nga ana tjetër, ende nuk ka marrë përgjigje se për çfarë shërben dhe pse është formuar aleanca ushtarake e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.
“Mund të kontaktoj edhe unë NATO-n, pse ai? Le të shohin gjithçka që duan, ne krenohemi me këtë. Çfarë duhet të bëj, t’i shkrij tanket, ta shkatërroj ushtrinë, siç kanë bërë disa të tjerë… Jo, ne do të kemi edhe më shumë raketa, të llojeve të ndryshme. Do të vazhdojmë të blejmë armë dhe të punojmë. Tani u pa, në Gjirin Persik, se ka një kërkesë të madhe për ‘pasarsat’ tanë. Po të kishim 5.000, do t’i kishim shitur të gjitha, sepse dronët iranianë ‘Shahed’ nuk mund t’i kapësh as me raketat më të shtrenjta, me ‘Patriot’… Ne do të vazhdojmë me këtë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi me ironi se në Zagreb duhet “të marrin më shumë letër dhe t’i shkruajnë më shpesh NATO-s”.
“Por nuk kanë nevojë të mundohen, le të më thonë mua dhe unë do ta njoftoj NATO-n ose këdo që duan ta njoftoj – unë do ta bëj. Do të them se kjo është Serbia, e cila vendos vetë se çfarë do të ketë, një vend i lirë dhe i pavarur që do të jetë në gjendje të mbrohet. Por unë ende nuk kam marrë përgjigje, përveç se kam dëgjuar se aleanca ushtarake e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit nuk shërben për sulm ndaj Serbisë – atëherë për çfarë shërben dhe pse është formuar”, theksoi presidenti i Serbisë.
Ai tha se ka dëgjuar gjithçka, por ende jo përgjigjen për atë pyetje.
“Nëse mund të ma shpjegoni, do të ishte shumë e rëndësishme për mua. Mos na tregoni përralla se është formuar për bashkëpunim ushtarako-teknik, që pastaj ata me ta do të kërcejnë ‘shotën’… Për çfarë arsye e formuat aleancën ushtarake? Ende nuk kam dëgjuar përgjigje. Kam dëgjuar nga Rama se Kosova është makthi im. Po, është, si për çdo njeri të ndershëm, faleminderit për këtë. Unë jam president i Serbisë dhe është makth për mua ajo që po bëjnë në Kosovë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së…”, tha Vuçiq.
Ai përsëriti se, kur shihen të gjitha faktet, është e qartë se ajo aleancë është formuar kundër Serbisë.
“Nuk ka arsye tjetër. Vështirë se është formuar kundër Austrisë, Maqedonisë së Veriut apo Sllovenisë. Atëherë na thoni kështu, e jo të heshtni, ndërsa ne sikur jemi budallenj dhe nuk e kuptojmë… Pastaj, për shkak të një mirësjelljeje të rreme diplomatike, duhet të bëjmë sikur jemi naivë. Nuk jemi budallenj, e kemi kuptuar çfarë po bëni. E keni kuptuar edhe ju se do të jemi një arrë e fortë për secilin prej jush veç e veç dhe për të gjithë së bashku. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu. Përgjigjja është se Serbia duhet të jetë e lirë, e paprekur dhe të ruajë paqen dhe stabilitetin. Ndërsa të bëhem naiv dhe të mos kuptoj çfarë po ndodh, se po na thurin një rrjet rreth vendit… Nuk jam aq naiv dhe as nuk jam zgjedhur për të qenë naiv, por për të luftuar për vendin dhe për t’i marrë mbi supe të gjitha sulmet. Sa i përket NATO-s, ai le të shkruajë; nëse duhet ta ndihmoj dhe t’i dërgoj informacione shtesë, mund ta bëj edhe këtë. Nuk ka problem, por këtë vend nuk e rregullon as ai (Plenkoviq), as NATO, por qytetarët e Serbisë”, përfundoi Vuçiq.
0 komentet