Vuçiq me Barrot: Serbia e përkushtuar ndaj dialogut dhe paqes, do të jetë mbështetje për Francën dhe BE-në

Aleksandar Vučić i Žan-Noel Baro
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi sot gjatë bisedës me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, Jean-Noël Barrot, se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe paqes dhe se do të jetë një mbështetje për Francën dhe Bashkimin Evropian, e gatshme të kontribuojë në stabilitet, siguri dhe zhvillim.


Pas takimit, Vuçiq mori pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për projektin e metrosë së Beogradit dhe Memorandumit të Mirëkuptimit për ndërtimin e kolektorit të kanalizimit për grumbullimin e ujërave të zeza të qytetit të Beogradit.

“Bisedë e hapur me Jean-Noël Barrot për çështje me rëndësi për marrëdhëniet Serbi-Francë dhe rrugën evropiane të vendit tonë. Diskutuam për ndërtimin e metrosë, zhvillimin e inteligjencës artificiale pas blerjes së superkompjuterit dhe bashkëpunimin në fushat e energjisë bërthamore dhe industrisë së mbrojtjes. Një nga temat ishte edhe projekti i pastrimit të ujërave të zeza në Beograd”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Ai shtoi se ka theksuar qartë përcaktimin e Serbisë për të ndjekur një politikë të pavarur dhe të përgjegjshme, të bazuar në mbrojtjen e interesave të saj shtetërore dhe kombëtare, me gatishmëri të njëkohshme për forcimin e bashkëpunimit me Francën si një nga partnerët më të rëndësishëm të Serbisë në Evropë.

“Vura në dukje se vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe paqes dhe do të jetë një mbështetje për Francën dhe Bashkimin Evropian, e gatshme të kontribuojë në stabilitet, siguri dhe zhvillim”, përfundoi Vuçiq.