Vuçiq: Në njoftim, Kurti u mburr me diçka që as nuk u përmend në bisedën me Macronin
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot se mori informacion në lidhje me takimin që presidenti francez Emmanuel Macron pati dje me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe deklaroi se Kurti u mburr në deklaratë me diçka që nuk ishte fare në ato bisedime.
Vuçiq u tha gazetarëve se mori informacion në lidhje me takimin nga kabineti i presidentit Macron.
"Jam i kënaqur që Kurti është i kënaqur, por a do të kufizojë dikush përdorimin e armëve serbe... Vetëm unë, si president i Serbisë dhe Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë, mund ta kufizoj përdorimin e armëve serbe. Ne duam paqe dhe për këtë arsye nuk do t'i përdorim ato. Dhe nëse do të përdoren disa armë këtu apo atje, vetëm unë dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e marrim këtë vendim", shpjegoi presidenti i Serbisë.
Ai tha se Kurti u mburr në deklaratë me diçka që as nuk ndodhi në takim.
“Kurti u mburr për diçka në deklaratë, por kjo nuk ndodhi në bisedime. Por unë nuk do t’i tregoj bisedimet në të cilat nuk kam marrë pjesë”, shtoi Vuçiq.
Lidhur me deklaratën e Presidentit Kroat Zoran Milanoviq se harron që Serbia ka një marrëveshje ushtarake me Kroacinë nga viti 2010, Vuçiç tha se ajo nuk është as e njëjtë dhe as e ngjashme me atë që Zagrebi ka me Tiranën dhe Prishtinën.
“Nuk është një aleancë ushtarake si me Prishtinën dhe Tiranën”, ishte i qartë Vuçiq.
0 komentet