Vuçiq: Kurti nesër shkon te Makroni, do të kërkojë që NATO të tërhiqet nga Zona Tokësore e Sigurisë dhe FSK të vijë në veri
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi mbrëmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të shkojë në një takim me presidentin francez, Emanuel Makron, me dy kërkesa – që Franca ta kushtëzojë Serbinë që armët që blen të mos i përdorë kundër shqiptarëve dhe të mbështesë propozimin që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në veri.
Vuçiq për TV Prva tha se ka marrë agjendën e Kurtit për bisedimet me presidentin francez, duke shtuar se nuk e kupton pse Makronit i duhet një takim i tillë, por se ai është lider i një vendi të madh.
“Kurti do të shkojë me dy kërkesa. Janë katër tema, por dy kërkesa. Njëra është që francezët të na kushtëzojnë se si do ta përdorim armët tona, pra që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve. Ndërsa tjetra është shumë e rrezikshme – që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri, që Franca ta mbështesë këtë dhe që ata të mund të sjellin të ashtuquajturën FSK në Zonën Tokësore të Sigurisë. Shpresoj që askujt në NATO të mos i shkojë ndër mend kjo. Jam i sigurt se Makronit nuk do t’i shkojë ndër mend ta mbështesë një kërkesë të tillë, sepse kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, ndaj popullsisë sonë dhe ndaj gjithë Serbisë. Besoj, pothuajse jam i sigurt, se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se nuk e di se cila është agjenda e Makronit, por e di se cila është ajo e Kurtit, duke theksuar se nuk do ta fshehë këtë dhe se gjithmonë do të dijë gjëra të tilla, pasi Serbia ka njerëzit e saj në rrethin e Kurtit, por në Prishtinë nuk do ta dinë nga i vijnë këto informacione.
Në këtë kuptim, ai theksoi se shteti “nuk është lodër”, por duhet të ketë një ushtri të fortë për të frenuar çdo agresor të mundshëm.
“Duhet të jeni të përgjegjshëm, seriozë dhe të mos hyni në gjëra të tilla përveç nëse është momenti i fundit. Duhet ta ruani paqen. U kam premtuar qytetarëve, veçanërisht nënave, se askush nuk do t’ua kthejë fëmijët në arkivole. Dhe këtë do ta mbaj”, porositi presidenti i Serbisë.
Ai u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve botërorë që “të mos luajnë me kërkesat e Kurtit”.
“Të mos luajnë me këtë dhe KFOR-i të vazhdojë me rolin e tij. Ne jemi të kënaqur me rolin e KFOR-it, kemi marrëdhënie të mira dhe do të vazhdojmë t’i kultivojmë ato. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, theksoi Vuçiq.
Ai shtoi se do ta telefonojë Makronin pas këtij takimi.
Në pyetjen nëse Kurti vetë ka vendosur ta kërkojë këtë tani nga Makroni apo “dikush ia ka sugjeruar”, Vuçiç tha se kjo kërkesë e Prishtinës “nuk është e re”.
Në konstatimin se kjo do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai u përgjigj se gjithçka që po bëhet është në kundërshtim me atë dokument.
“Edhe pavarësia e Kosovës, edhe fakti që kanë çfarëdo formacioni të armatosur. Sidomos kur ata mburren, megjithëse është e shkruar qartë në Rezolutën 1244 – e cila, edhe pse ka norma të këqija, përmban edhe disa norma mbrojtëse për Serbinë – se FSK-ja është pasardhëse e UÇK-së. Gjithçka është në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dhe kujt i intereson kjo? Kujt në bashkësinë ndërkombëtare i intereson që nuk është zbatuar Marrëveshja e Brukselit, përveç nesh? Për gjithçka që kanë bërë dhe për gënjeshtrat? Askush, sepse ata janë ende fizikisht më të fortë se një vend i vogël, që është një ishull lirie në shumë çështje. Dhe jam krenar për këtë”, tha Vuçiq.
Aleanca ushtarake e Shqipërisë, Kroacisë dhe Prishtinës e formuar me urdhër të një vendi
Vuçiq tha se aleanca ushtarake e Shqipërisë, Kroacisë dhe Prishtinës është formuar me urdhër të një vendi, pa dashur të tregojë se për cilin vend bëhet fjalë.
“Në ditën kur u formua aleanca ushtarake, e dija çfarë po përgatitej dhe nuk mund të më mashtrojnë. Ata flisnin për bashkëpunim ushtarako-teknik dhe ushtarako-ushtarak, por formuan një aleancë ushtarake. Zagrebi nuk do të pranonte kurrë një gjë të tillë pa një urdhër nga një vend i caktuar”, theksoi Vuçiq.
Ai tha se kjo ishte një sinjal për të dhe se që atëherë po punon intensivisht për çështjen e sigurisë së Serbisë.
“Ata e dinë që ne nuk duam të sulmojmë askënd. Por e di se sapo t’u jepet mundësia, do të nisin një sulm ndaj Serbisë. Mos kini iluzione se nuk kam të drejtë”, paralajmëroi presidenti Vuçiq.
Në botë sundojnë papërgjegjshmëria dhe forca, jo e drejta
Duke folur për situatën gjeopolitike, Vuçiq theksoi se në botë sundojnë papërgjegjshmëria dhe forca, jo e drejta.
Lidhur me vizitën e tij të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai tha se kishte shkuar te një mik personal dhe mik i popullit serb, për të shprehur solidaritet.
Ai rikujtoi se presidenti i Emirateve i kishte ndihmuar Serbisë në momentet më të vështira në OKB, gjatë votimit për Rezolutën për Srebrenicën, jo vetëm me votën e tij, por edhe me ndikimin ndaj disa vendeve të tjera.
“E jona është të paktën të shprehim solidaritet”, theksoi Vuçiq.
Ai përcolli se në Emirate situata është kryesisht e qetë, sepse mbrojtja e tyre kundërajrore funksionon mirë.
Tha se ishte interesante që gjatë ardhjes së tij, avionin e tij e shoqëronin avionë luftarakë për shkak të dronëve të mundshëm.
“Ata kanë investuar miliarda në të ashtuquajturat pajisje për bllokim elektronik. Por iranianët janë të suksesshëm në prodhimin e dronëve ‘Shahed’. Kanë disa elemente me të cilat shmangin këto bllokime dhe kalojnë kudo. Është një makinë e lirë, por gjen rrugën drejt objektivit”, shpjegoi Vuçiq.
Ai theksoi se kishte parë se amerikanët kishin kryer sulmet më të fuqishme ndaj Teheranit dhe Iranit.
“Më vjen keq për njerëzit që po vuajnë. Në botë sundon papërgjegjshmëria, forca dhe jo e drejta”, tha ai.
Vuçiq tha se sipas parashikimeve izraelite, kjo luftë duhet të përfundojë rreth 9 prillit.
“Është e mundur, por nuk jam i sigurt. Iranianët janë një popull i guximshëm, një nga popujt më të arsimuar dhe më të kulturuar, me dinjitet të jashtëzakonshëm. Ata janë shiitë dhe te ta kjo linjë e dinjitetit, e mbrojtjes së personalitetit, si dhe e lirive dhe të drejtave fetare është edhe më e theksuar. Por Izraeli dhe Amerika kanë armë shumë më të sofistikuara. Izraeli është superfuqi në aspektin e armëve dhe pajisjeve, ndërsa amerikanët janë si një elefant në savanë, më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit, çfarëdo që godasin është shumë e dhimbshme dhe e rëndë”, shpjegoi presidenti i Serbisë.
Ai tha se kjo luftë po merr shumë jetë dhe shtoi se do të ishte mirë të përfundonte sa më shpejt.
Ai theksoi se Serbia ishte i vetmi vend evropian që së fundmi në OKB votoi për rezolutën për skllavërinë, me propozim të Ganës.
“Amerikanët votuan kundër, evropianët të gjithë abstenuan, dhe si voton Brukseli, ashtu votojnë edhe këta në rajon, ‘copy-paste’. Askush atje as nuk merr vendim si të votojë, thjesht e kopjojnë. Ne votuam pro dhe jam krenar që mbështetëm Afrikën mike. Gana është vend mik, ka një president serioz dhe është një vend shumë i rëndësishëm në rajonin e Gjirit të Guinesë, ku së fundmi kemi hapur ambasadë”, theksoi Vuçiq.
Duke folur për Kinën, ai tha se pas 30 vitesh janë hapur arkivat, të cilat tregojnë se nuk ka pasur masakër në Tiananmen siç është pretenduar.
“Nuk ka pasur tanke që shkelin studentët. Ka pasur viktima, rreth 400 gjithsej, nga të cilët rreth 70 deri në 90 ishin policë dhe ushtarë që u linçuan dhe u dogjën të gjallë. Në atë moment, Perëndimi kolektiv ndiente nevojën ta nënshtronte plotësisht Kinën dhe të krijonte sërish mundësinë që Kina të punonte për ta, të ishte shërbëtore e tyre. Ata u përballën me këtë dhe pati abuzime ndaj ushtarëve kinezë. Shteti reagoi, por nuk pati masakër. Këtë e konfirmon edhe një telegram i ambasadorit amerikan nga viti 2019”, tha ai.
Ai shtoi se më pas filloi edhe presioni ndaj serbëve.
“Shpërbëje Jugosllavinë dhe nuk ka rëndësi nëse vuajnë serbët, boshnjakët… Shko deri në fund, shkatërro gjithçka, trego dominim absolut. Shkatërro Republikën Sërpska, shkatërro Krajinën, jep gjithë logjistikën kroatëve që nuk e përfunduan punën e tyre në vitin 1945, pasi Jasenovci funksiononte edhe pas çlirimit të Beogradit”, tha Vuçiq.
Duke folur për Rambujenë, ai tha se pas analizave ka përfunduar se askush nuk mund ta pranonte atë marrëveshje.
“Askush nuk do ta pranonte kurrë dhe e kuptoj pse nuk u pranua. Sot ndoshta do t’i qaseshim ndryshe. Do të jepja dorëheqjen dhe do të fitoja tre muaj kohë. Vetë nuk do ta pranoja”, tha ai.
Ai shtoi se në atë kohë një popull i vogël liridashës u shpall armik arketip për të treguar fuqinë e Perëndimit global.
Ai theksoi se jugu global tregoi simpati, por askush nuk mund të ndihmonte.
“Askush nuk ndihmoi. Presidenti i Bjellorusisë donte të tregonte veten, por të tjerët nuk ekzistonin. Megjithatë, edhe njerëzit në vendet e tyre tregonin simpati. Edhe sot, këdo që sulmojnë, shumica e jugut global do të jetë në anën e tyre, por ai ende nuk është mjaftueshëm i fortë”, theksoi Vuçiq.
Ai tha se bota është një fshat i madh dhe kompleks, ndërsa “ne që jetojmë në një shtëpi të vogël duhet ta forcojmë atë për ta mbrojtur”.
Ai paralajmëroi se në tre muajt e ardhshëm do të ketë një nga vizitat më të rëndësishme, pa treguar për cilin vend bëhet fjalë.
Robotët e parë në Serbi do të prodhohen në Vidovdan
Presidenti Vuçiq shprehu pritshmërinë që robotët e parë të prodhohen në Serbi për Vidovdan.
“Më kanë sulmuar disa kundërshtarë, por ja një lajm ekskluziv – pres që robotët e parë të prodhuar në territorin e Serbisë t’i kemi për Vidovdan, pas tre muajsh. Do të prodhohen në Serbi dhe do të shkruajë mbi ta se janë prodhuar në Serbi. Për Ekspozitën Ekspo do të fluturoni me makina fluturuese”, tha Vuçiq.
komentet