Vuçiq: Nuk ka lojë rreth BKS-së, vetëm kur Prishtina ta përmbushë atë dhe Serbia do ta bëjë pjesën e saj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk ka lojë rreth BKS-së dhe se Serbia do ta mbajë fjalën e saj dhe do ta përmbushë pjesën e saj të punës vetëm kur Prishtina ta përmbushë obligimin e saj.
Vuçiq, në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobijas Billstrem, tha se tani shpesh thuhet se është e rëndësishme të fillohet procesi i formimit të BKS-së.
"Gjëja është se, ju formoni BKS me kompetenca thelbësore dhe kur ta bëni këtë, sepse Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës. Nuk ka asnjë lojë. Vetëm kur ju ta përmbushni atë, ne do ta përmbushim tonën”, tha presidenti Vuçiq.
Vuçiq tha se ndoshta Serbia do të bëjë diçka në mënyrë të njëanshme në shenjë vullneti të mirë, por se kjo nuk ka të bëjë fare me obligimin e Prishtinës.
“Është një detyrim që nuk është nënshkruar as në shkurt e as në mars, por që ekziston që nga 19 prilli 2013”, nënvizoi ai.
Vuçiq theksoi se duhet të përmbushen obligimet që të mos përfundojnë si disa marrëveshje të tjera, dhe filluan luftërat, sepse disa i konsideronin vetëm të përkohshme dhe për të blerë kohë.
“Ne në Serbi mund të jemi të trashë, por jo edhe aq shumë”. Ne patëm mundësinë të mësojmë nga ajo që po ndodh në botë. Kur ta përmbushni obligimin tuaj, atëherë me gëzimin më të madh do ta përmbushim atë që kemi premtuar publikisht”, ka theksuar Vuçiq.
Vuçiq i tha mysafirit se Serbia do të përmbushë gjithçka që ka thënë, por se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organet e saj të specializuara.
Shefi i diplomacisë suedeze e uroi Vuçiqin për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe tha se pret që të gjitha dispozitat dhe anekset të zbatohen menjëherë.
0 komentet