Vuçiq për paralajmërimin e takimit Kurti–Ulutash: Serbisë po i dërgohet sinjal se nuk ka kuptim të negociojë

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbisë po i dërgohet sinjal se nuk ka kuptim të negociojë, duke qenë se Marrëveshja e Brukselit ende nuk është zbatuar. Ai reagoi kështu ndaj paralajmërimit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se sot pasdite do të takohet me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, për të diskutuar hapjen e urës mbi Ibër.

„Absurd i plotë është gjithçka që bën Kurti dhe gjithçka që ata bëjnë me të. Po parashtroj vetëm një pyetje: Kur do ta zbatoni Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013? Asgjë më shumë, vetëm këtë. Ju nga Bashkimi Evropian e keni vënë nënshkrimin, kur do ta zbatoni?“, pyeti ai.

Siç tha ai, delegacioni i Serbisë deri më tani ka negociuar 50 herë për hapjen e urës mbi Ibër, në kuadër të dialogut të Brukselit.

„Në këtë mënyrë po na jepni sinjal se nuk ka kuptim të bisedojmë dhe të negociojmë, megjithëse ne kemi negociuar gjithmonë. Për çfarë të bisedojmë? Kemi negociuar 50 herë për urën mbi Ibër, ndërsa tani do ta zgjidhni me forcë, së bashku me miqtë tuaj të NATO-s. Do të shohim. Do të bisedoj me Ruten. E kam thënë se biseda ndërmjet Millan Mojsilloviqit dhe Ulutashit ishte korrekte, por jo e mirë“, përfundoi Vuçiq.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se gjatë bisedës me Ulutashin do të diskutohet për detajet e hapjes së urës mbi Ibër, pasi, siç tha ai, është absurde që ajo të mbetet e mbyllur.