Vuçiq për letrën drejtuar Rutes: Dëshiroja të mbetej një dëshmi me shkrim se kisha paralajmëruar për pasojat e veprimeve të shfrenuara të Kurtit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se letrën ia kishte dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, me qëllim që të mbetej një dëshmi me shkrim se kishte paralajmëruar për, siç tha ai, veprimet e shfrenuara të Albin Kurtit, duke shtuar se përgjigjen e pret deri të hënën ose të martën.
“Çfarë përgjigjeje do të dëshiroja të dëgjoja - është e qartë për të gjithë, ndërsa nëse do ta marr atë – besoj se po. Deri të hënën ose të martën. Besoj se Rute do të më telefonojë për të biseduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.
Ai theksoi se dëshironte të mbetej edhe një dëshmi me shkrim se kishte paralajmëruar për pasojat e veprimeve të shfrenuara të shqiptarëve dhe të Albin Kurtit.
“Por jam plotësisht i sigurt se do të marr përgjigje. Rute është njeri i përgjegjshëm”, shtoi Vuçiq.
Ai vuri në dukje gjithashtu se pret trysni shtesë ndaj serbëve në Kosovë.
Vuçiq i dërgoi dje një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, në të cilën shprehu shqetësim të thellë për vendimin e KFOR-it që të tërhiqet nga ura mbi Ibër dhe ta përfshijë Policinë e Kosovës në “arkitekturën e sigurisë” në zonën e Manastirit të Deçanit. Ai theksoi se ky hap ishte ndërmarrë para kohe dhe se vlerësimet e sigurisë të KFOR-it nuk i kishin identifikuar në mënyrë të përshtatshme të gjitha rreziqet për sigurinë e popullsisë serbe dhe të popullsisë tjetër joshqiptare në veri të Kosovës, si dhe për sigurinë e manastirit, i cili është një perlë e trashëgimisë kulturore serbe dhe botërore.
0 komentet