Vuçiq per Rojters: Kërkojmë lirimin e serbëve dhe një mënyrë për të qetësuar tensionet
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë në një intervistë për agjencinë britanike Rojters se Serbia po kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar dhe mënyrën për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës, transmeton RTV.
Në një intervistë pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiq përsëriti se serbët në Kosovë nuk duhet të marrin pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it.
“Askush, në asnjë rrethanë, nuk duhet të marrë pjesë në sulmet ndaj EULEX-it dhe KFOR-it”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse Beogradi do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës, ai u përgjigj shkurt “absolutisht”.
Agjencia thekson se Vuçiq akuzoi autoritetet e Prishtinës dhe kryeministrin Albin Kurti për nxitje të tensioneve me “lëvizje të panumërta të njëanshme”.
“Sa herë që dikush mendon se kemi zgjidhur diçka, shfaqet një problem tjetër”, theksoi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar së fundmi në veri të Kosovës sepse, siç ka theksuar ai, “ata mbahen nën akuza të sajuara dhe se policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit."
"Policia e Kosovës nuk ka çfarë të bëjë në veri... Sidomos njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Kjo shkakton shqetësim dhe frikë te popullata serbe", tha Vuçiq.
Agjencia britanike pretendon se Vuçiq ka refuzuar të specifikojë se cilat hapa ka miratuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare në seancë.
0 komentet