Zeman: Serbia mund të jetë ndërmjetëse në negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës
Serbia është sërish në lojë si vend që mund të jetë ndërmjetësues në negociatat e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe njohësit të situatës vlerësojnë se nuk është joreale që përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës të takohen në Beograd, shkruan Kurir.
Përkatësisht, presidenti në largim i Republikës Çeke, Millosh Zeman, tha se Serbia mund të jetë në mesin e vetëm disa vendeve që falë pozicionit të tyre relativisht neutral, janë në gjendje të ndërmjetësojnë në negociatat e paqes për të rënë dakord për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Lufta padyshim që nuk do të përfundojë me humbjen totale të njërës prej dy palëve ndërluftuese, kështu që do të ketë një armëpushim, pasuar nga paqja. Dikush duhet të ndërmjetësojë. Nga këndvështrimi i një pozicioni relativisht neutral mes të dyja palëve, mund të jenë Kina, Turqia, Serbia, Izraeli, Austria, që kam diskutuar me Presidentin Van der Bellen, dhe Hungaria, që kam diskutuar me Katallin Novak”, tha Zeman për portalin „Parlamentnji listi“.
Presidenti çek, mandati i dytë dhe i fundit pesëvjeçar i të cilit sipas kushtetutës skadon më 8 mars, tha në një nga intervistat e tij të fundit se ai nuk ka asgjë kundër faktit që shumica në Perëndim beson se Ukraina mund ta mposht Rusinë, por paralajmëroi se si Rusia dhe Ukraina, falë ndihmës nga Perëndimi, kanë ende rezerva për të luftuar një luftë të gjatë dhe rraskapitëse.
“Secila nga palët ndërluftuese, si dhe ata që i ndihmojnë, do të humbnin fytyrën nëse do ta ndalonin atë mbështetje. Në fund të fundit, qytetarët e atyre vendeve do të protestonin. Njësoj si kur negocion me Hitlerin. Në fillim fituan pacifistët, por në fund u mundën”, tha Zeman.
Ai beson se ideja e negociatave të paqes po bëhet gjithnjë e më aktuale dhe se presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, duhet të pranojë një kompromis të mundshëm, por sigurisht jo humbjen.
Ish-shefi i diplomacisë së RF të Jugosllavisë, Vlladisllav Jovanoviq, gjithashtu beson se Serbia është një kandidat serioz për të pritur bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Opsioni që ne të jemi nikoqirë ka qarkulluar prej një viti të tërë, megjithëse nuk theksohet askund. Ka disa kandidatë të rekomanduar për të dhe disa janë shumë aktivë në të, si Turqia, e cila është në gjendje të jetë nikoqir. Nga ana tjetër, Zvicra u kompromentua duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, por është ende në qarkullim. Austria pret gjithashtu të jetë një ndërmjetës, pasi është ushtarakisht neutrale. Mirëpo, ne jemi më të pastërt, sepse nuk kemi inat nga asnjë palë, dhe ushtarakisht jemi neutralë dhe të pavarur akoma. Ne e mbajmë atë qëndrim dhe parim, dhe në të njëjtën kohë jemi një vend i vogël, ndaj nuk mund të jemi të pakëndshëm për asnjërën anë. Mirëpo, gjithçka varet nga shumë gjëra të tjera, e para së gjithash nëse këto negociata do të jenë fare publike apo gjithçka do të zgjidhet diku jashtë syve të publikut”, thekson Jovanoviq.
Kryetari i Qendrës për Studimin e Globalizimit, Dejan Milletiq, vlerëson se ende nuk ka interes të madh në botë për fillimin e negociatave për paqe.
"Ne ende nuk shohim interes të mjaftueshëm nga fuqitë e mëdha në negociata, e lëre të vendosim se cila anë mund të jetë. Megjithatë, kujtojmë se forcat militante afgane po negocionin pikërisht këtu, kur askush nuk dinte për këtë. Ne kemi përvojë dhe kemi treguar tashmë se, si një vend neutral, mund të mundësojmë që situata të vështira të negociohen këtu me maturi. Fakti është se nuk është joreale që bisedimet e paqes mes dy palëve të zhvillohen në vendin tonë dhe këtë e theksoi presidenti Zeman në momentin e duhur”, thotë Milletiq.
Ai gjithashtu thekson se Serbia është në Evropë dhe se ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën dhe se po ndërton gjithnjë e më shumë marrëdhënie partneriteti me Uashingtonin, gjë që krijon, siç e vlerëson, kushtet për një konsensus që të vendoset për Serbinë.
“Gjëja më e rëndësishme është se një pozicion i tillë në të cilin Serbia do të ndërmjetësonte do të hapte mundësinë që politika jonë e pavarur neutrale të jetë realitet dhe të pranohet nga të gjitha palët, gjë që do të legjitimonte dëshirën tonë për të qenë neutralë dhe politikisht të paangazhuar“, thotë Milletiq.
0 komentet