Zyra për KdheM: Krimi në Livadicë ndodhi para syve të pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë
Zyra për KdheM njoftoi, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së 12 dhe plagosjes së 43 serbëve në Livadicë, se krimi ndodhi para syve të pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, dhe se nga autoritetet në Prishtinë as një çerek shekulli më vonë nuk mund të pritet një kthesë në drejtim të përballjes me të kaluarën dhe pranimit se njerëz të pafajshëm ishin viktima të “ekstremizmit dhe shovinizmit të madh shqiptar”.
Nga Zyra për KdheM rikujtojnë se në këtë ditë, 25 vjet më parë, në fshatin Livadicë afër Podujevës ndodhi një krim i paprecedentë, ku në një sulm terrorist ndaj autobusit të “Nish Express” u vranë dymbëdhjetë dhe u plagosën dyzet e tre serbë.
“Edhe sot jemi të tmerruar nga natyra tinëzare dhe mizore e atij krimi dhe nga fakti se për një çerek shekulli askush nuk ka dhënë llogari për të. Krimi ndodhi para syve të pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi, ndërsa paaftësia e atëhershme e organeve hetimore dhe gjyqësore për ta zbardhur këtë akt të pakuptimtë dhune dhe për t’i sjellë para drejtësisë organizatorët dhe kryerësit, kuptueshëm shkakton mosbesim dhe revoltë”, thuhet në komunikatë.
Siç theksohet, familjet e të vrarëve në Livadicë nuk janë të vetmet që sot kërkojnë drejtësi, pasi – rikujtohet – lista e sulmeve terroriste ndaj civilëve serbë në Kosovë pas ardhjes së forcave ndërkombëtare është e gjatë, “dhe si rregull këto krime nuk janë zbardhur dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për to”.
“Nga autoritetet e përkohshme në Prishtinë, edhe një çerek shekulli më vonë, nuk mund të pritet ndonjë kthesë në drejtim të përballjes me të kaluarën dhe pranimit se njerëz të pafajshëm ishin viktima të ekstremizmit dhe shovinizmit të madh-shqiptar”, thuhet nga Zyra për KdheM.
Në komunikatë shtohet se në këtë moment nuk ekziston klimë shoqërore dhe politike për një gjë të tillë, duke theksuar se serbët në Kosovë edhe sot shpesh janë viktima të dhunës, “para së gjithash të dhunës politike të institucionalizuar, por edhe të terrorit të hapur”.
“Gjatë dhe pas konfliktit të armatosur në Kosovë dhe Metohi shumë krime janë kryer nga ekstremistë shqiptarë dhe terroristë të UÇK-së dhe me faktin që deri më sot nuk është bërë një distancim i qartë nga këto akte dhune është thelluar hendeku ndëretnik dhe mosbesimi, ndërsa këto politika sot në Prishtinë janë më të gjalla se kurrë”, thuhet në komunikatë, dhe shton:
“Me shpresën se në kohën që vjen kriminelët do të përballen me sanksione adekuate dhe familjet e të vrarëve me drejtësinë e shumëpritur, Zyra për Kosovë dhe Metohi do të vazhdojë të theksojë të gjitha vuajtjet e serbëve, krimet e pazbardhura dhe incidentet e motivuara etnikisht, si dhe të kërkojë me këmbëngulje epilogun e të gjitha këtyre rasteve, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.”
0 komentet