Zyra për KeM: Kërkojmë që përgjegjësit për rrëmbimin e Sllavujit dhe Pereniqit të gjenden dhe të dënohen
Zyra për Kosovë dhe Metohi kërkoi sot, me rastin e 28-vjetorit të rrëmbimit të gazetarëve të Radio Prishtinës, Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq, që përgjegjësit për këtë krim të gjenden dhe të dënohen, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.
“Sot mbushen 28 vjet nga rrëmbimi i gazetarëve të Radio Prishtinës, Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq. Ashtu si gjatë të gjitha viteve të mëparshme, kërkojmë që përgjegjësit për këtë krim të gjenden dhe të dënohen, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend, ndërsa familjeve të të rrëmbyerve t’u ofrohet sadopak ngushëllim. Sllavuj dhe Pereniq nuk janë gazetarët e vetëm që u zhdukën ose humbën jetën në rrethana të pazbardhura gjatë konfliktit në Kosovë dhe Metohi, por janë shndërruar në simbol të vuajtjes së njerëzve të pafajshëm dhe të mosndëshkimit të përgjegjësve”, bëri të ditur Zyra për KeM.
Ajo vuri në dukje gjithashtu se gazetarët që punojnë në gjuhën serbe në Kosovë vazhdojnë edhe sot të përballen me pengesa në punë dhe presione.
“Fatkeqësisht, klima politike dhe e sigurisë në të cilën sot punojnë dhe raportojnë gazetarët në gjuhën serbe në Kosovë dhe Metohi karakterizohet nga diskriminimi, ndalimet, pengimi i punës dhe presionet, ndërsa punonjësve të mediave u kërkohen dokumentet e identifikimit dhe ata ndëshkohen para syve të bashkësisë ndërkombëtare, vetëm sepse dëshirojnë të raportojnë me ndërgjegje dhe përgjegjësi të vërtetën për mënyrën se si jeton sot populli serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në komunikatë.
Zyra për KeM rikujtoi se këtë vit pllaka përkujtimore në vendin e rrëmbimit të Sllavujit dhe Pereniqit u shkatërrua për herë të nëntë.
“Fakti që organet kompetente nuk kanë vullnet ose nuk janë të afta t’i procedojnë penalisht as vandalët, dëshmon për ideologjinë e urrejtjes që vazhdon të kultivohet mes separatistëve në Kosovë dhe Metohi. Rikujtojmë se, që nga viti 2012, kur pllaka përkujtimore u vendos për herë të parë, vetëm një herë është ndaluar personi përgjegjës për përdhosjen e saj. Edhe pse e pranoi fajësinë, ai person mori vetëm një dënim me kusht dhe një gjobë simbolike, duke u dërguar kështu mesazh të gjithë atyre që ushqejnë urrejtjen dhe pengojnë përkujtimin dinjitoz të viktimave se mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë pa kurrfarë frike dhe pasojash”, përfundon komunikata.
Më 21 gusht 1998, Sllavuj dhe Pereniq u nisën drejt Manastirit të Shënjtë Vraçës në Zoçishtë, për të përgatitur një kronikë rreth kthimit të murgjve të rrëmbyer. Mirëpo, pasi u nisën nga Hoça e Madhe drejt Zoçishtës, devijuan në një rrugë të gabuar, e cila i çoi te pjesëtarët e UÇK-së. Që nga ai moment u humb çdo gjurmë e tyre, ndërsa familjet dhe kolegët nuk kanë marrë deri më sot asnjë informacion zyrtar për fatin e tyre.
0 komentet