Përvjetori i rrëmbimit të gazetarëve Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq: Familjet dhe kolegët kërkojnë të vërtetën prej 28 vjetësh
Në këtë ditë, 28 vjet më parë, gjatë kryerjes së detyrës gazetare, në rrugën Hoçë e Madhe–Zoçishtë, u rrëmbyen gazetarët e Radio Prishtinës, Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq. Rrëmbimi i tyre nuk u zbardh kurrë, ndërsa familjet dhe kolegët e tyre prej pothuajse tri dekadash kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë.
Më 21 gusht 1998, Sllavuj dhe Pereniq u nisën drrejt Manastirit të Shënjtë Vraçës në Zoçishtë, për të përgatitur një kronikë rreth kthimit të murgjve të rrëmbyer.
Ata u panë në Hoçën e Madhe gjatë orëve të paradites, prej nga u nisën drejt Zoçishtës. Pasi përshkuan disa kilometra, automjeti i tyre “Zastava 128” devijoi në një rrugë të gabuar, e cila i çoi te pjesëtarët e UÇK-së.
Që nga ai moment u humb çdo gjurmë e tyre, ndërsa familjet dhe kolegët, deri më sot, nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar për fatin e tyre.
Në vitin 2012, në afërsi të vendit të rrëmbimit u vendos një pllakë përkujtimore, në mënyrë që ky rast i pazgjidhur të mos harrohej. Në të, në gjuhën serbe dhe shqipe, shkruhet:
“Këtu, më 21 gusht 1998, u rrëmbyen kolegët tanë gazetarë. Po i kërkojmë”.
Megjithatë, pllaka përkujtimore deri më tani është përdhosur dhe rrëzuar nëntë herë, për herë të fundit në fund të korrikut të këtij viti.
Për këtë arsye, Shoqata e Gazetarëve të Serbisë, së bashku me degën e saj, Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë, paralajmëroi se do ta rindërtojë këtë shenjë përkujtimore edhe për herë të dhjetë.
Në vitin 2017, EULEX-i konfirmoi se Pereniqin dhe Sllavujin i kishin rrëmbyer pjesëtarët e UÇK-së, përkatësisht se, duke i kërcënuar me armë, i kishin dërguar në një drejtim të panjohur.
Megjithatë, EULEX-i e ndërpreu hetimin për shkak të mungesës së provave.
Rrëmbimi i Ranko Pereniqit dhe Gjuro Sllavujit është vetëm një pjesë e vargut tragjik të zhdukjeve dhe vrasjeve të pazbardhura të gazetarëve në Kosovë.
Në periudhën ndërmjet viteve 1998 dhe 2005, gjatë kryerjes së punës së tyre, në Kosovë u vranë, u rrëmbyen ose u zhdukën 19 gazetarë dhe punonjës të mediave.
0 komentet