Gjokutaj: Tregu i punës në Shqipëri nuk i inkurajon të rinjtë, prandaj ata largohen nga vendi
Analisti dhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Tiranës Eduart Gjokutaj thotë se Shqipëria është një nga vendet në rajon me shkallën më të ulët të papunësisë, por problemi kryesor është punësimi i të rinjve, gjë që ndikon edhe në largimin e tyre nga vendi.
“Sipas të dhënave të vitit 2023, shkalla mesatare e papunësisë në Shqipëri është një nga më të ulëtat në rajon dhe është rreth 10.7 për qind, por grupmosha 15-29 vjeç ka një nivel papunësie mbi 22 për qind, që është dukshëm më lart se mesatarja shqiptare. Sigurisht që është edhe mbi mesataren e rajonit dhe ka të bëjë me atë që ofron tregu i punës, ndaj kjo është edhe arsyeja që ndikon në largimin e të rinjve. Natyrisht, kështu do të jetë edhe në të ardhmen, derisa të merren masa përtej asaj që shprehet në media si shqetësime nga ekspertë apo përfaqësues të qeverisë”, thotë profesori.
Ai shprehet se është i nevojshëm ndryshimi i strukturës së ekonomisë shqiptare, e cila tashmë varet nga ndërtimtaria, shërbimet dhe tregtia. Ai shton se të tre sektorët krijojnë probleme, veçanërisht në rastin e një ekonomie të hapur, ku turizmi dominon shërbimet.
“Turizmi është një dëshirë e madhe e Shqipërisë, por është larg marrjes dhe trajtimit të të gjitha të mirave dhe të këqijave që sjellin turistët, këtu kam parasysh problemin e investimeve, këtu kam parasysh problemin e ujërave të zeza menaxhimin e mbetjeve. Prandaj, turizmi nuk duhet parë në vetvete si një industri që zhvillohet vetë, por duhet menaxhuar me kujdes. Nga ana tjetër, ndërtimi është një industri që nuk tërheq tregun e punës në terma afatgjatë, sepse është një industri që kur të përfundojë si cikël, përfundimisht do të lërë një treg bosh dhe do të kemi problem me të rinjtë”, beson Gjokutaj.
Ai vlerëson se të rinjtë nuk inkurajohen nga ky treg pune, as në Shqipëri dhe as në vendet e rajonit. Ai shprehet se Shqipëria duhet të krijojë një model të ri që do të përfitojë më shumë nga “tregu i përbashkët ballkanik”.
“Do të thosha se Serbia bën diferencën deri diku sepse diversifikoi portofolin e ekonomisë së saj dhe rriti prodhimin dhe eksportin e produkteve bujqësore, por në mënyrë eksponenciale. Për sa i përket përshtatjes me tregun në të ardhmen, Kosova ka potencial që të shfaqet si eksportuese e shërbimeve të teknologjisë informative. Ajo që duhet të bëjë Shqipëria është të adoptojë një model të ngjashëm. Diçka mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, të bëhet me radhë dhe të shërbejë si ekonomi plotësuese, sidomos tani që kemi Procesin e Berlinit dhe të gjitha ato iniciativa e projekte që synojnë të lidhin njerëzit”, përfundon Gjokutaj.
0 komentet