Radojeviq: Siguria e serbëve në veri e rrezikuar, bashkësia ndërkombëtare në heshtje vështron veprimet e Policisë së Kosovës
Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e ardhshme lokale, Millan Radojeviq, ka deklaruar se çështja e sigurisë dhe funksionimit të Policisë së Kosovës është bërë kyçe gjatë qeverisjes së kryeministrit të Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti. Sipas tij, serbëve, veçanërisht në veri të Kosovës, siguria u është rrezikuar, ndërsa policia nuk reagon në mënyrë adekuate dhe misionet e bashkësisë ndërkombëtare mbeten pasive.
“Çështja e sigurisë dhe punës së Policisë së Kosovës është bërë kyçe në mandatin e qeverisë së Albin Kurtit. Me ardhjen e tij në pushtet, Policia e Kosovës është shndërruar ekskluzivisht në polici partiake të qeverisë së Albin Kurtit, pasi atë e udhëheq drejtpërdrejt ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndonëse me ligj kjo nuk është e mundur, por për punën e saj duhet të jetë përgjegjës drejtori i policisë. Përgjegjësi të madhe në këtë bartin edhe organizatat ndërkombëtare që deri para një periudhe ushtronin monitorim të drejtpërdrejtë mbi punën e Policisë së Kosovës. Si pasojë, edhe puna e Policisë së Kosovës ka qenë, shumë më e mirë”, ka shpjeguar Radojeviq për Kosovo online.
Siç shton ai, jemi dëshmitarë se situata e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, është përkeqësuar, por statistikat nuk e tregojnë këtë, gjë që, sipas tij, flet qartë për mënyrën se si trajtohen rastet e sulmeve ndaj serbëve.
“Sa i përket sigurisë, për këtë më së miri mund të flasin serbët në Kosovë e Metohi. Siguria e tyre është rrezikuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Për fat të keq, Policia e Kosovës shpesh nuk është në nivelin e detyrave dhe nuk reagon siç duhet. Këtë e tregon edhe statistika, e cila më mirë të mos shihet fare. Sepse, nëse shihni statistikat e Policisë së Kosovës, aty pothuajse nuk ka, ose është shumë minimal numri i veprave penale të kualifikuara si dhunë ndaj pakicave, vepra të motivuara etnikisht ose të ashtuquajtura krime urrejtjeje. E ne jemi dëshmitarë se sulme të tilla ndaj serbëve ndodhin çdo ditë, në dy-tre vitet e fundit, më së shumti në veri të Kosovës”, ka thënë Radojeviq.
Shumica e sulmeve ndaj serbëve, thekson ai, vijnë pikërisht nga Policia e Kosovës, e cila gjithmonë gjen justifikim për veprimet e saj, ndërsa misioni i EULEX-it i vështron të gjitha në heshtje.
“Ashtu si në incidentin e fundit në fshatin Vuçë, ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës gjithmonë kanë një lloj ‘arsyetimi’ pse kanë vepruar ashtu, ndërsa serbët i ftojnë të drejtohen te Inspektorati Policor. Për fat të keq, në punën e Policisë së Kosovës, në mungesën e profesionalizmit të tyre, veçanërisht kohët e fundit, rol të madh ka edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk ka më monitorim e kontroll mbi Policinë e Kosovës si dikur. Këtu kryesisht kam parasysh misionin e EULEX-it, i cili është statik dhe justifikon plotësisht të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës”, ka theksuar Radojeviq.
Ai nënvizoi se ky mision asnjëherë nuk i është përgjigjur letrave të organizatave joqeveritare nga veriu, të cilat janë ankuar për joprofesionalizmin e Policisë së Kosovës, dhe për këtë arsye, shtoi Radojeviq, edhe ai mban pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e keqe të sigurisë në veri të Kosovës.
0 komentet