Selenica: NATO ka qëllime të rëndësishme në Shqipëri, vendi ynë ka qenë “nxënës i mirë”

Kryeredaktori i lajmeve në RTA 1 në Tiranë, Gert Selenica, deklaroi për Kosovo online se është me rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin, që Tirana do të jetë nikoqire e Samitit të NATO-s në vitin 2027.
Sipas Selenicës, NATO ka qëllime të rëndësishme në Shqipëri.
“Kemi bazën ajrore në Kuçovë, e cila po bëhet qendër për stërvitjet strategjike të NATO-s. Kemi manovrat ushtarake ‘Defender Europe 25’ që zhvillohen çdo vit,ndonjëherë në Kosovë, ndonjëherë në Shqipëri, e ndonjëherë në të dy vendet njëkohësisht. Kompleksi i dikurshëm i ndarjes në ‘të vegjël’ dhe ‘të mëdhenj’ nuk ekziston më dhe ky është një sinjal shumë i mirë që besoj se do të ketë ndikim edhe në aspektin politik. Vendi ynë nuk është më objekt kritikash, dhe fakti që është në qendër të këtyre agjendave ka përparësitë e veta, si në kuptimin e vëmendjes më të madhe ndërkombëtare, ashtu edhe në përfaqësimin në këtë strukturë gjigante që është aleanca më e madhe ushtarake në botë,” thekson Selenica, duke shtuar se Shqipëria është pjesëmarrëse në disa misione paqeruajtëse të NATO-s.
Ai rikujtoi se kohët e fundit në Tiranë është mbajtur edhe takimi i Komunitetit Politik Evropian, me të gjithë liderët kryesorë të kontinentit që erdhën në kryeqytetin shqiptar për të vendosur themelet e afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
“Besoj se si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni tani kanë një qëndrim ndryshe ndaj Shqipërisë. Duke parë që Shqipëria ka qenë ‘nxënësi i mirë’ i Ballkanit, ata duan ta ndihmojnë më shumë dhe ta stimulojnë. Dëshirojnë ta vendosin vendin tonë në plan të parë në proceset që po zhvillohen me shpejtësi. Kjo reflektohet në hapjen rekord të grupeve të kapitujve (në negociatat për integrim evropian). Siç ka deklaruar komisionerja Kos, grupi i fundit i kapitujve do të hapet në vjeshtë, e më pas do të nisin proceset për hapjen e negociatave me qëllim përfundimin deri në vitin 2030,” thotë bashkëbiseduesi ynë.
Shqipëria, siç vlerëson ai, gradualisht, herë me deklarata pompoze, herë me qëndrime realiste, po bëhet pjesë integrale e të gjitha strukturave ndërkombëtare, ushtarake apo politike.
"Mund të konsiderohemi si një vend imun ndaj ndikimit të Serbisë, apo politikës tradicionaliste të lidhur me Rusinë. Kishim takime të përbashkëta me Serbinë me rëndësi rajonale. Po i referohem Ballkanit të Hapur, një iniciativë që në çdo rast pati rezultatet e saj, qofshin pozitive apo negative, të përfshira apo jo në procesin e Berlinit. Mund të themi se po bëhemi një 'lokomotivë' për rajonin, së bashku me Malin e Zi. Jo se diçka na pengon të themi se ne, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, po krijojmë bashkëpunim nën 'ombrellën' e BE-së, pavarësisht problemeve etnike që ekzistojnë, veçanërisht në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Shpresojmë të bashkëjetojmë në këtë rajon dhe të arrijmë qëllimin e të qenit në BE", tha Selenica.
Sipas mendimit të tij, në rajon kërkohet një balancë gjeopolitike.
"Padyshim që ka disa fronte aktive lufte. Kemi shumë ndikim rus në Ballkan. Kemi Serbinë, e cila lëkundtet midis BE-së dhe Putinit. Duket se edhe në rajon kërkohet një balancë gjeopolitike. Sigurisht, sipas mendimit tim, Presidenti i SHBA-së Trump ka marrë vendime të rëndësishme dhe madje të nevojshme, duke e larguar Aleancën nga qëndrimet burokratike dhe duke e shndërruar atë në një Aleancë më praktike, e cila kujdeset për veten, për buxhetet e saj të mbrojtjes, megjithëse SHBA-të gjithmonë kanë një rol udhëheqës për të garantuar që Aleanca është e gatshme për të gjitha konfliktet e mundshme, ato që janë aktuale ose ato që mund të shpërthejnë nesër. NATO nuk është vetëm një Aleancë në teori, por një Aleancë që mund t'i përballojë çdo armiku, pavarësisht se sa i fuqishëm është për sa i përket municioneve bërthamore", tha Selenica.
komentet